Maqedoni
Tejkalimi i mosmarrëveshjeve me Bullgarinë, Osmani: Duhen bërë tani, ose do të jetë vonë
27.04.2022 14:51
Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, për televizionin bullgar BTV...

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, për televizionin bullgar BTV, tha se pikërisht tani është momenti vendimtar për tejkalimin e dallimeve mes RMV-së dhe Bullgarisë, sepse nëse kjo nuk ndodh në këtë moment, mosmarrëveshja mund të kthehet në konflikt të ngrirë.
"Nëse një gjë e tillë nuk ndodhë tani, në të ardhmen do të ketë gjithnjë e më pak forcë, energji dhe guxim për çdo politikan që të merret me këtë çështje me guxim. Prandaj kam frikë se në një apo dy muaj ky do të kthehet në një konflikt të ngrirë që do të zgjasë me vite, me të gjitha pasojat që do të lindin nga marrëdhëniet tona. Jam i bindur se në gjysmën e dytë të këtij viti nuk do të kemi të njëjtat forca që të angazhohemi plotësisht me gjithë energjinë e qeverisë për ta zgjidhur këtë çështje, siç po bëjmë tani.”,- deklaroi ministri i punëve të jashtme, Bujar Osmani.
Pasaportat bullgare, Osmani: Shtetësia dhe etnia nuk janë njësoj
Sa i përket rezultateve nga regjistrimi, sipas të cilave në vend janë 3504 bullgarë të deklaruar, e dyshimeve nga Sofja për manipulime me numrat Osmani pranon se ka më shumë persona me pasaportë bullgare, vetëm sepse ajo është pasaportë evropiane dhe ofron më shumë mundësi.
“Nuk kemi informacion të saktë se sa shtetas kanë pasaporta bullgare. Sigurisht që pasaporta bullgare ka shumë më tepër përparësi se ajo maqedonase sepse është pasaportë evropiane. Dhe njerëzit detyrohen të marrin pasaportë bullgare për arsye sociale. Pra, shtetësia dhe përkatësia etnike nuk mund të barazohen.”,- tha Osmani.
Osmani theksoi se RMV me implementimin e Marrëveshjes së Ohrit ka ndryshuar qasjen përballë bashkësive etnike dhe se nuk bëhen dallime se kush cilit etnitet i takon.
FITIM KRYEZIU
