Maqedoni
“Gazprom” ndërpret furnizimin, Bullgaria e Polonia refuzojnë pagesën me rubla
27.04.2022 15:25
Kompania ruse e energjisë “Gazprom” ka njoftuar se ka ndërprerë plotësisht furnizimin me gaz për Bullgarinë dhe Poloninë...

Kompania ruse e energjisë “Gazprom” ka njoftuar se ka ndërprerë plotësisht furnizimin me gaz për Bullgarinë dhe Poloninë, për shkak të mospagesës në rubla. “Pagesat për gazin që dërgohet nga një prilli duhet të bëhen në rubla, duke përdorur të dhënat e reja për pagesë, për të cilat palët kontraktuese janë informuar në kohën e duhur.”,- ka njoftuar “Gazprom”, duke implementuar kështu vendimin e presidentit rus, Vlladimir Putin, që të gjitha vendet e ashtuquajtura “armike” që e blejnë gazin rus pagesën ta sjellin me rubla. Ministri bullgar i energjisë, Aleksandar Nikollov, tha se Bullgaria ka paguar për gazin në prill dhe se ndërprerja e gazit është shkelje e kontratës.
“Meqë janë ndërmarrë të gjitha përgjigjet tregtare dhe juridike, është e dukshme se për momentin gazi natyror po shfrytëzohet më shumë si armë politike dhe ekonomike, në kuadër të luftës e jo marrëdhënie tregtare juridike. Në marrëdhëniet juridiko-tregtare, pala bullgare absolutisht nuk ka kurrfarë shkeljesh. Bullgaria nuk do të zhvillojë bisedime nën presion dhe me kokë të ulur. Bullgaria nuk shitet dhe nuk tërhiqet për asnjë çmim dhe para cilitdo partner tregtar apo palë e tretë.”,- tha ministri i energjetikës i Bullgarisë, Aleksandar Nikollov.
Edhe ministrja polake e ambientit, Ana Moskva, ka thënë se Polonia ka rezerva të mjaftueshme të gazit.
“Ne jemi të pavarur efektivisht nga Rusia tanimë disa vite, ndërsa rezervat i kemi 80% të mbushura me gaz. Nuk do të ketë problem për shfrytëzuesit tanë.”,- theksoi ministrja e ambientit e Polonisë, Ana Moskva.
“Gazprom” paralajmëroi gjithashtu se transiti përmes Polonisë dhe Bullgarisë do të pezullohet nëse gazi merret ilegalisht. Por, autoritetet bullgare kanë thënë se nuk do të bëhen pengesë për furnizimin e vendeve fqinje me gaz. Me gazin rus vazhdojnë të furnizohen vendet tjera të BE-së si Austria dhe Gjermania të cilat e bëjnë pagesën me euro.
I vetmi vend i BE-së që e paguan gazin me rubla është Hungaria. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka akuzuar Rusinë se po tenton ta shantazhojë bllokun me gaz.
GYLTENE SINANI
