Maqedoni
Vijon greva në arsim, drejtorët thirrje prindërve: Sillini fëmijët!
27.04.2022 15:49
Bankat shkollore edhe më tej mbetën të zbrazura në shumicën e shkollave fillore e të mesme në vend...

Bankat shkollore edhe më tej mbetën të zbrazura në shumicën e shkollave fillore e të mesme në vend. Greva në arsimin fillor dhe të mesëm hyri në javën e tretë. Drejtoria e Shkollës Fillore “Vasill Gllavinov” u bën thirrje prindërve që nga dita e nesërme t’i sjellin fëmijët. Procesi mësimor do të vijon me arsimtarët që nuk janë pjesë e SAShK-ut.
“Apeloj deri te prindërit që t’i sjellin prej nesër fëmijët në shkollë, ne si shkollë organizimin e kemi të planifikuar dhe dyert e shkollës kanë qenë dhe janë të hapura për nxënësit. Gjendja në të cilën ndodhemi nuk është aspak lakmuese nga asnjë dashamir i arsimit, të theksoj se si unë dhe të gjithë arsimtarët nuk duan që nxënësit të dëmtohen më tepër.”,- tha drejtoresha e Sh. F. “Vasil Gllavinov” –Çair, Elita Demiri.
Çerdhet hapën dyert, numri i fëmijëve në çerdhe edhe më tej i vogël
Ndryshe, nga shkollat e çerdhet hapën dyert për fëmijët, por edhe më tej numri i fëmijëve që shkojnë në çerdhe mbetet i vogël.
“Menjëherë u vërejt ndryshimi i numrit të fëmijëve, gjatë grevave kemi pasur diku 40 fëmijë, ndërsa tani i kemi 230 dhe mendoj se kjo ndodh sepse në shkolla grevat vazhdojnë dhe numri i fëmijëve në çerdhe është më i vogël në krahasim me ditët normale që i kemi diku rreth 700 fëmijë në ditë. Aktivitetet kanë vazhduar edhe gjatë grevës, mirëpo ajo pjesë e personelit që ka qenë në grevë janë kthyer dhe funksionojnë me fëmijët.”,- u shpreh drejtoresha e Çerdhes “Fidani” – Çair, Gëzime Bakiu.
Qytetarët që anketuam përkrahin arsimtarët, por thonë se duhet gjetur zgjidhje, sepse fëmijët janë më të dëmtuarit.
“Duhet të gjendet një rrugë t’i shpëtojmë fëmijët se në rend të parë janë ata pastaj vinë arsimtarët, duhet të gjendet një rrugëdalje sa më shpejtë.”,- u shpreh një qytetar.
“Duhet të gjejnë ndonjë mënyrë fëmijët mos të kenë ndërprerje të mësimit se ne i përkrahim, ndoshta shteti nuk është në gjendje t’u dalë në ndihmë, t’i realizojnë të drejtat, por fëmijët të kenë aq pauzë dhe ndërprerje nuk është në rregull.”,- theksoi një qytetar.
Greva në sektorin e arsimit ka filluar më 11 prill. Pjesa më e madhe e arsimtarëve nuk lëshojnë pe dhe nuk dakordohen me rritjen e ofruar të pagave prej 12%, siç u morën vesh të hënën kryesia e SAShK-ut dhe Qeveria.
FLUTURA LATIFI
