Maqedoni

Ndërprerja e gazit për Bullgarinë, KRRE: Aktualisht s’kemi problem, më tej varet nga Rusia

27.04.2022 16:15

Vendimi i “Gazprom”-it për ndërprerjen e furnizimin me gaz për Bullgarinë dhe Poloninë...

Vendimi i “Gazprom”-it për ndërprerjen e furnizimin me gaz për Bullgarinë dhe Poloninë, për shkak të mungesës së pagesave në rubla, ka rritur shqetësimet në vendin  tonë që merr gaz transit nëpërmjet gazsjellësit në Bullgari. Gazsjellësi që kalon përmes Bullgarisë mund të shërbejë si linjë transiti për Maqedoninë e Veriut, e cila ka një mundësi teknike për rrjedhje të pandërprerë të gazit natyror në vend, thonë nga Komisionit Rregullativ për Energjetikë. Megjithatë situata është komplekse dhe gjithçka varet nga vendimet që do të marrë Rusia.
 
“Sipas informacioneve që disponojmë, "Makpetrol" i ka shlyer në kohë detyrimet ndaj "Gazpromit", që nënkupton furnizim stabil të gazit natyror. Megjithatë, situata është komplekse dhe monitorohet vazhdimisht dhe varet nga vendimet që do të marrë Rusia, pra nëse do të zgjerojë listën e vendeve të cilave do të ndalojë apo kufizojë furnizimin me gaz natyror.”,- thonë nga KRRE.
 
Bekteshi: Për çfarëdo vendimi, kemi derivate alternativë
 
Edhe ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, konfirmon se vendimi nuk ka ndikuar që të ketë ndërprerje të furnizimit me gaz dhe vendi është më pak i varur nga gazi rus tani që është mbyllur sezoni i ngrohjes, ndërsa kapacitet industriale mund të punojnë edhe me derivate alternativë.
 
“Sipas mbledhjeve me tregtarët Ga-Ma dhe NER, janë përmbushur të gjitha obligimet nga ana jonë për furnizim me gaz natyror. Furnizimi nuk është ndalur por e dimë që situata gjithmonë është komplekse dhe nuk dihet se çfarë vendime do të sillen në ditët në vijim. Por, ne si shtet jemi të gatshëm dhe kemi alternativë adekuate për çfarëdo vendimi që mund të sillet.”,- tha ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
 
Pas vendimit të “Gazprom”-it javën e ardhshme në Sofje do të mblidhen të gjithë ministrat e vendeve të përfshira të rajonit që të prezantohen nevojat e shteteve dhe të ketë furnizim të vazhdueshëm me energjenca.
 
GAZMEND KURTISHI