Maqedoni

Greva në arsim, LSDM: Fëmijët jashtë shkollave, agjendë politike

27.04.2022 16:41

LSDM e vlerëson vendimin e SAShK-ut për vazhdimin e grevës në arsim...

LSDM e vlerëson vendimin e SAShK-ut për vazhdimin e grevës në arsim, si realizim të një agjende të caktuar politike të disa anëtarëve të kryesisë së SAShK-ut, që i la nxënësit jashtë shkollave. 
 
“Është egoiste, e palejueshme dhe e papërgjegjshme që nxënësit të jenë dhjetë ditë jashtë shkollës vetëm për shkak të agjendave politike personale të individëve nga kryesia e SASHK-ut. E drejta e fëmijëve për arsim është e garantuar me kushtetutë dhe nuk duhet lejuar të rrezikohet për shkak të agjendës së tyre politike. Shteti dhe institucionet e kanë detyrimin të sigurojnë vazhdimësinë e mësimit, plotësimin e plotë të kurikulave në shkolla dhe këtë do ta bëjnë.”,- deklaroi deputetja e LSDM-së, Sanela Shkrijel.
 
VMRO-DPMNE: Qeveria e ktheu arsimin në fushë eksperimentesh
 
Nga “Pallati i Bardhë” përkrahin plotësisht këmbënguljen e SAShK-ut dhe akuzojnë qeverinë për shantazh ndaj grevistëve.
 
“Qeveria kot i përdor mekanizmat e shantazhit dhe presionit, greva e SASHK-ut ishte paralajmëruar dy muaj para se të ndodhte. Nëse qeveria donte realisht t'u gjente një zgjidhje kërkesave të stafit arsimor, mund ta bënte këtë para fillimit të grevës. Kështu nuk do të kishte asnjë ndërprerje në procesin edukativo-arsimor dhe nuk do të ishte në dëm të fëmijëve. Nëse qeveria do të donte vërtet që arsimi të ishte i organizuar dhe një proces i vazhdueshëm, avancimi nuk do ta kthente në fushë eksperimentesh.”,- u shpreh zëdhënësja e VMRO-DPMNE-së, Marija Miteva.
 
Nga VMRO-DPMNE thonë se kërkesat e arsimtarëve dhe edukatorëve janë legjitime e jo agjendë politike e opozitës.
 
SANIJE DURAKU