Maqedoni
27 prilli i përgjakur në Kuvend, 5 vjet nga rrezikimi terrorist i rendit kushtetues
27.04.2022 17:11
5 vjet nga rrezikimi terrorist i rendit kushtetues, subjektet politike kujtojnë ngjarjet e 27 prillit...

5 vjet nga rrezikimi terrorist i rendit kushtetues, subjektet politike kujtojnë ngjarjet e 27 prillit, kur një grup protestuesish në bashkëpunim me disa deputetë të VMRO DPMNE-së shpërthyen dyert e Kuvendit dhe sulmuan deputetët e shumicës së re, për të penguar transferimin e pushtetit. LSDM shpreh shqetësimin që VMRO DPMNE ende nuk është distancuar dhe nuk ka dënuar ngjarjen.
“Asnjëherë në këto pesë vjet nuk pamë të kërkojnë falje, asnjë pendim nga Hristijan Mickovski dhe kryesia e VMRO DPMNE-së. Përkundrazi, personat e dënuar për vepër penale rrezikim terrorist të rendit kushtetues VMRO DPMNE dhe Mickovski i quajnë mbrojtës së kushtetutës duke u përpjek rrejshëm të pastrojnë ndërgjegjen para familjeve të tyre.”,- deklaroi Jovan Mitrevski nga LSDM.
Nga ana tjetër, Unioni i Veteranëve të VMRO DPMNE-së dhe Instituti Patriotik “Goce Delçev” protestuan para burgut në Prilep në përkrahje të të dënuarve për këtë vepër penale.
“Të provokuar hynë në Kuvend. Ka pasur mundësi edhe unë të isha në mesin e tyre, por siç duket ata kanë qenë më të guximshëm dhe më të shpejtë dhe janë dënuar në 211 vjet dënim me burg. As në kohën e osmanlinjve s’ka pasur dënime të tilla.”,- tha Mane Jakovlevski nga Unioni i Veteranëve të VMRO-DPMNE-së.
ASh e zhgënjyer. Sipas tyre beteja kundër regjimit të atëhershëm për të normalizuar institucionet është komprometuar. Akuza për BDI-në dhe LSDM-në.
“Fatkeqësisht, sot LSDM është bërë bashkë me gjysmën e atij regjimi, BDI-në dhe ata krijuan një regjim hibrid, krijuan një qeverisje të pashpresë dhe dëshpëruese. Amnistuan organizatorët dhe realizatorët e 27 prillit, burgosën pafajësisht Feta Alimin dhe vazhduan me krimin dhe korrupsionin, kapjen e shtetit, partizimin e gjyqësorit, plaçkitjen e qytetarëve dhe izolimin e vendit.”,- deklaroi Naim Bajrami nga ASh.
Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, thotë se policia nuk ka reaguar në rastin konkret kur, sipas tij, protestuesit kanë dashur të vrasin deputetë. Por, gjendja në MPB ka ndryshuar në këto pesë vjet, thotë ai.
“Ngjarja e 27 prillit ishte sulm i dhunshëm në Kuvend, i cili kishte për qëllim të vriten deputetë dhe të mos lejohet marrja e pushtetit. Nëse e krahasojmë atë moment me ditët e sotme asgjë s’është njësoj. Çdo gjë është më e avancuar edhe shteti edhe institucionet, veçanërisht MPB.”,- tha ministri i punëve të brendshme, Oliver Spasovski.
Për ngjarjet e 27 prillit u dënuan 16 persona me 188 vjet burg, ndërsa 15 të tjerë u amnistuan, në mesin e tyre dhe deputetët që hapën dyert e Kuvendit.
SHPËTIM NUREDINI
