Maqedoni

Drejtoria e Librave Amë në grevë, qytetarët: Vetëm festa e greva, nuk mbarojmë punë

27.04.2022 17:19

Erdhën me shpresën se do të kryejnë punë në Drejtorinë e Librave Amë, por u kthyen duarbosh....

Erdhën me shpresën se do të kryejnë punë në Drejtorinë e Librave Amë, por u kthyen duarbosh. Për shkak të grevës, qytetarët nuk po munden të marrin dokumentet që iu nevojiten, certifikata të lindjes apo nënshtetësi. Qytetarë që jetojnë jashtë kufijve të shtetit, të shqetësuar se nuk po mund të nxjerrin dokumentacionin e duhur. 
 
“Tashmë dy javë jam këtu duke u endur. Vetëm ka festa dhe ka greva. Tani nuk e di a do të mund të nxjerr certifikatën e lindjes.”,- tha një qytetare. 
 
“E dinim se ka grevë, por thamë ndoshta do të na kryejnë punë. Menduam se ndoshta e kanë ndërprerë grevën, por jo ende janë në grevë. Nuk pranonin të nënshkruajnë asgjë. Tani pa certifikatë nuk po mundemi të nxjerrim asnjë dokument tjetër.”,- theksoi një qytetar. 
 
“Jo nuk mbarova dot punë.”,- u shpreh një qytetare.   
 
Certifikatë nga librat amë të lindjeve, kurorëzimeve dhe të vdekurve nuk po jepen në gjithë territorin e shtetit. Të punësuarit në drejtorinë e librave amë janë të vendosur të vazhdojnë grevën deri sa nuk thirren nga institucionet kompetente dhe nuk marrin premtim se pagat e tyre do të rriten në pajtueshmëri me pagën minimale.  
 
“Më shumë se e nevojshme na është sjellja e një marrëveshje kolektive në nivel të punëdhënësit, me qëllim që të vërtetohen të drejtat e përcaktuara nga marrëdhënia e punës, të bëhet rritje e pagave, si dhe të rregullohet procedura për arritjen e më shumë avancimeve, pasi me vite të tëra jemi në të njëjtin vend.”,- deklaroi Igor Jovanovski nga Sindikata e Pavarur e Drejtorisë së Librave Amë.
 
Rreth 500 të punësuar në drejtorinë e librave amë, shpresojnë që kompetentët do të gjejnë zgjidhje për problemet e tyre.
 
BELINDA KOKA ADEMI