Maqedoni
KSL ndërpret grevën e sektorit publik, kallëzime penale për shkak të presioneve
27.04.2022 17:31
Konfederata e Sindikatave të Lira ka vendosur ta ndërpresë grevën të cilën e paralajmëroi...

Konfederata e Sindikatave të Lira ka vendosur ta ndërpresë grevën të cilën e paralajmëroi, për harmonizimin e pagave me pagën minimale. Nga KSL thonë se vendimi është marrë për shkak të presionit të ushtruar ndaj punonjësve të sektorit publik, me ç’rast kanë paralajmëruar edhe ngritjen e kallëzimeve penale.
“Duke i parë dhe analizuar të gjitha informacionet që erdhën nga anëtarët dhe përfaqësuesit tanë sindikalistë, kemi konstatuar që gjatë ditës së djeshme ndodhi një presion i ashpër politik ndaj sektorit publik. Duke marrë parasysh pasojat që mund t'u ndodhin punonjësve, vendosëm që për disa institucione të ngremë kallëzime penale kundër personave të panjohur. Kjo, me qëllim mbrojtjen e identitetit të anëtarëve të cilët për shkak të prononcimeve të tyre mund të rrezikojnë punën.”,- thuhet në njoftimin e KSL-së.
KSL njofton se do të monitorojë nga afër situatën sa u përket kërkesave të tyre për përmbushjen e detyrimeve ligjore për punëtorët në sektorin publik.
