Maqedoni
Kumanovë - greva vazhdon, Zeqiri: Mendojmë për nxënësit, por duam pagë dinjitoze
27.04.2022 17:47
Ka vazhduar greva e arsimtarëve në shkollat e gjashtë komunave të rajonit verilindor....

Ka vazhduar greva e arsimtarëve në shkollat e gjashtë komunave të rajonit verilindor. Ismet Zeqiri - nënkryetar i SAShK-ut rajonal, thotë për TVM2 se të gjithë mësuesit, arsimtarët dhe profesorët janë në grevë.
“E dimë që është një problem jashtëzakonisht i madh për nxënësit me humbjen e mësimit, për këtë jemi të vetëdijshëm por duke pare dinjitetin tone si mësimdhënës jemi të hendikepuar në shumë sfera të jetës, kemi parasysh gjithashtu regjistrimin e nxënësve në klasat e 9-ta, gjithashtu maturantët të cilët janë në përfundim e sipër, gjitha këto i kemi parasysh dhe mirë llogaritur, por tek e fundit nuk kemi se çka të bëjmë sepse edhe ne në këtë shtet jemi njerëz që meritojmë të jemi në vend të parë. Qeveria e RMV ka treguar një fleksibilitet jashtëzakonisht të madh por edhe ne jemi treguar të tillë sepse edhe ne jemi treguar më fleksibil se sa qeveria në këtë rast, por jam i sigurt se do arrihet marrëveshja duke i pasur parasysh nxënësit por duhet pasur edhe ne parasysh që mos të anashkalohemi.”,- deklaroi nënkryetari i SASHK-ut të rajonit verilindor, Ismet Zeqiri.
Zeqiri njofton se nga fillimi i grevës, e njëjta nuk është mbajtur në Shkollën fillore “Joakim Kërçovski” në Kriva Pallankë dhe në një çerdhe në Kratovë, kurse nga sot grevën pjesërisht e kanë ndërprerë edhe disa mësimdhënës në Shkollën e mesme të Bujqësisë “Kiro Burnaz” në Kumanovë.
FATLUM AQIFI
