Ndihmës sekratarja amerikane, Donfried në Shkup

28.04.2022 09:46

Siç njoftojnë nga Ministria e Punëve të Jashtme.....

Ndihmës sekretarja amerikane e shtetit për çështjet evropiane dhe euroaziatike Karen Donfried sot do të qëndrojë për vizitë në Maqedoninë e Veriut, ku do të realizojë takime me krerët shtetëror.

Gjatë vizitës, Karen Donfried do të realizojë takim me Presidentin, Stevo Pendarovski, Kryeministrin, Dimitar Kovaçevski, me Ministrin e Punëve të Jashtme, Bujar Osmani dhe me Ministren e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska. 

Fokus i takimeve, siç njoftoi MPJ, pritet të jenë marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve, perspektivat eurointegruese të Maqedonisë së Veriut, bashkëpunimi në NATO dhe situatat aktuale në vend dhe rajon.

“Ajo do të inkurajojë shtetin më të ri anëtar të NATO-s që të vazhdojë të punojë ngushtë së bashku në një sërë çështjesh rajonale, të sigurisë dhe të mbrojtjes për të promovuar demokracinë dhe bashkëpunimin rajonal,” thuhet në njoftimin e Departamentit të Shtetit.

Vizita e saj është në kuadër të një turi në Ballkanin Perëndimor. Donfridit nga Shkupi do të udhëtojë për në Shqipëri, për të shënuar 100 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

Sipas njoftimit, ndihmës sekretarja e shtetit do të shprehë mbështetje të fortë për fillimin e negociatave të anëtarësimit me BE-në dhe Shqipërinë.