BE hap proces kundër Hungarisë, por si funksionon ky mekanizëm?
Për herë të parë në histori...

Për herë të parë në histori BE përdor instrumentin e shtetit ligjor në një proces që ka hapur kundër Hungarisë.
Zëvendëspresidenti i Komisionit të BE-së, Margaritis Schinas bëri të ditur dje në Bruksel se Komisioni i BE ka hapur një proces kundër Hungarisë, sipas mekanizmit të shtetit të së drejtës. Argumentet më të rëndësishme janë një numër i madh dyshimesh për korrupsion dhe parregullsi në tenderat publikë si dhe vënia në rrezik e pavarësisë së drejtësisë.
Për këto akuza Hungaria mund të dënohet me sanksione të mëdha financiare. Konkretisht mund të humbasë qindra milionë euro subvencione nga BE. Meqenëse ato janë të rëndësishme për ekonominë dhe kapin në vit nivelin e katër përqindshit të prodhimit të brendshëm bruto, mosdhënia do të ishte një mjet për të ndaluar shpërbërjen e shtetit të së drejtës nga qeveria e Orbanit.
Ka dyshime se tenderat projektohen me qëllim në mënyrë të atillë, që prej tyre të përfitojnë ky rreth i caktuar personash. Pas kritikave nga BE, ministri i Shtetit në qeverinë e Orbanit, Gergely Gulyas pati deklaruar para disa muajsh se në të ardhmen tenderat publikë do të projektohen nga e para. Por deri tani nuk ka ndryshuar asgjë.
Debati për këtë çështje ka zgjatur një dekadë të tërë para se sa Brukseli të binte më në fund dakord për vënien në funksionim të të ashtuquajturit mekanizëm i shtetit të së drejtës, që hyri në fuqi në fillim të vitit 2021.Pas ankimeve të Hungarisë dhe Polonisë kundër këtij mekanizmi, u desh edhe një vit tjetër deri sa Gjykata Europiane ta shpalli mekanizmin në muajin shkurt të këtij viti, si mekanizëm në përputhje me ligjet e BE dhe si të tillë të zbatueshëm. Tani ai vihet faktikisht në përdorim për herë të parë kundër Hungarisë, atij vendi anëtar të BE, i cili që prej 2010 shkaktoi në BE hapjen e debatit për shkak të aktiviteteve jodemokratike të qeverisë së kryesuar nga kryeministri, Viktor Orban.
