Maqedoni

Xhaferi takoi Zelenskin dhe Stefançuk, “RMV mbështetje të plotë për Ukrainën”

28.04.2022 13:56

Kreu i parlamentit, Talat Xhaferi, në takimin me homologun e tij ukrainas, Rusllan Stefançuk...

Kreu i parlamentit, Talat Xhaferi, në takimin me homologun e tij ukrainas, Rusllan Stefançuk, ku ka shprehur mbështetjen personale por edhe institucionale ndaj popullit të Ukrainës. Krimet janë evidente, ato duhet të marrin fund dhe Maqedonia e Veriut do të angazhohet në këtë drejtim, tha Xhaferi.
 
“Do bashkëngjitemi edhe ndaj tentativave për ripërtëritjen e Ukrainës, pas përfundimit të kësaj lufte të pakuptimtë. Sot kishim rastin që në vendndodhje ti shohim edhe veprat e krimit që i ka bërë Federata Ruse në truallin e Ukrainës dhe ndaj qytetarëve ukrainas dhe prandaj, pas kësaj vizite të sotme edhe personalisht edhe institucionalisht do të angazhohemi që ato vepra krimi të marrin emrin përkatës, dhe asnjë emër tjetër përpos vepra gjenocidi.”,- deklaroi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
 
Xhaferi ka takuar edhe presidentin e Ukrainës, Volodimir Zelenski. Ai ka siguruar krerët ukrainas se Maqedonia e Veriut i është bashkuar të gjitha masave kufizuese kundër Federatës ruse.
 
“RMV gjithashtu e mbështeti vendimin për suspendimin e Rusisë nga Këshilli i Evropës, ne gjithashtu iu bashkuam të gjitha masave kufizuese dhe sanksioneve të BE-së kundër Federatës Ruse edhe pse nuk jemi anëtare e BE-së. Ky akt agresioni edhe një herë vërtetoi rëndësinë e zgjerimit të BE-së për sigurinë, stabilitetin dhe konsolidimin demokratik të Evropës.”,- tha kryetari i Kuvendit të RMV-së, Talat Xhaferi.
 
Kreu i Kuvendit po qëndron për vizitë në Ukrainë me ftesë të Kuvendit të Republikës së Ukrainës, ku edhe nga afër po sheh situatën me luftën dhe pasojat e luftës atje.
 
ERSAN PAJAZITI