Diplomatja amerikane Donfrid në Shkup, keni zgjidhur çështje të rënda, BE të hap derën

28.04.2022 15:04

Mbajtja e konferencës së parë ndërqeveritare mes BE-së dhe Maqedonisë së Veriut....

Mbajtja e konferencës së parë ndërqeveritare mes BE-së dhe Maqedonisë së Veriut u zgjat tepër dhe bisedimet aderuese me Brukselin duhet të fillojnë sa më shpejt. Kjo ishte porosia e ndihmës sekretares amerikane të shtetit, Karen Donfried, në Shkup. Potencoi se një hap i këtillë përparues, do të sjell përfitime edhe për rajonin dhe Evropën në fushën e  stabilitetit dhe prosperitetit.

“Ne mbështesim fuqishëm aspiratat tuaja dhe dëshirojmë  sa më shpejt të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Tashmë shumë kohë u zgjat mbajtja e kësaj konference. Ju realizuat çështje të vështira, plotësuat reformat e nevojshme me meritoni të përparoni shpejt. E ardhmja e Maqedonisë së Veriut është në Bashkimin Evropian. Aderimi juaj do të sjell më shumë stabilitet në rajon dhe prosperitet në Evropë.”,- tha ndihmës-sekretarja amerikane e shtetit, Karen Donfrid.

Osmani për integrimet: Aspak më s’kemi kohë për të humbur

Mbajtja eventuale e konferencës ndërqeveritare gjatë presidencës franceze do të dëshmonte realizimin e premtimit të BE-së,  dhe njëherit do të shërbente si inkurajim për vendet e Ballkanit Perëndimor, tha ministri Bujar Osmani. 

Pritjet dhe prolongimet  janë tepruar dhe  shteti nuk ka kohë më për të  pritur para dyerve të BE-së, potencoi ai.

“Askush prej nesh nuk ka kohë për të humbur. Mungesa e përparimit të procesit eurointegrues do të ketë pasoja serioze për shtetin tonë, vendet e  Ballkanit Perëndimor dhe krijon hapësirë për ndikime dëmtuese nga vendet e treta. Përshpejtimi i procesit eurointegrues është në interes të  gjeopolitikës për partnerët tanë. Vlerësojmë se është koha e duhur që Bashkimi Evropian ta përmbush detyrën dhe të zhbllokojë procesin  përmes miratimit të kornizës negociuese.”,- tha ministri i jashtëm, Bujar Osmani.

Diplomatja amerikane Donfried, është takuar edhe dhe kryeministrin Kovaçevski dhe shefin e shtetit Pendarovski. Mes tjerash është biseduar edhe iniciativa “Ballkani i Hapur” si dhe është konfirmuar përforcimi i bashkëpunimit të mëtejshëm mes dy shteteve.

SHBA-të dhe Maqedonia e Veriut do ta ngritin  në nivel më të lartë bashkëpunimin ndërshtetëror në takimin për dialog strategjik mes përfaqësuesve të dy qeverive, i cili do të mbahet me 2 qershor  në Uashington. (Nermin Mulaki Fejzullahu, TVM2)