Botë

Vendimi rus për gazin, Bullgaria në kërkim të zgjidhjes

28.04.2022 16:54

Bullgaria është nën presion pas vendimit të fundit të Rusisë për ndërprerjen e Gazit natyror....

Bullgaria është nën presion pas vendimit të fundit të Rusisë për ndërprerjen e Gazit natyror. Tani për tani në Bullgari nuk ka restrikcione, ndërkohë po  kërkohen zgjidhje alternativë për situatën edhe pse e njëjta është nën kontroll. Delegacion nga Bullgaria po qëndron në Bruksel, në bisedime me Komisionin Europian. Në ndërkohë në mënyrë të përshpejtuar po punohet në konstruktimin e interkonektorit për të cilin thuhet se është 98% i përfunduar. Ndërtimet duhet të përfundojnë deri në qershor ,ndërsa testimi të fillojë në korrik. 
 
“Në të dyja anët ka ngecje në punime por ka dhe avancim. Pjesa e parë e gazpërçuesit është gati në të dyja shtetet. Gazrat tash më janë vendosur dhe janë të mbushura, gjithashtu janë kryer edhe kontrollet e nevojshme. Mbetet vetëm hidro-kontrolli i stacionit matës të gazit në “Stara Zagora” dhe ajo në Novomotini.”,- tha drejtoresha e projektit për interkonektorë, Teodora Georgieva.
 
ShBA: Veprimi rus, i pritshëm
 
Greqia tash më i ka bërë ofertë për pagesë Gazpromit, dhe t’i ndihmojë Bullgarisë. Nga Shtëpia e Bardhë thonë se veprimi i këtillë i Rusisë ka qenë i parashikueshëm dhe se SHBA-të po punojnë me aleatët europianë për këtë problematikë. 
 
“Presidenti formoi grup pune me Bashkimin Europian për të caktuar sasi të mjaftueshme të cilat me kalimin e kohës do ta zëvendësojnë gazin rus për Europën. Nevojitet që të zvogëlohet varësia nga Rusia, dhe me këtë aftësia e Putinit për ta shfrytëzuar varshmërinë nga ana e Europës.”,- theksoi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë - ShBA, Xhen Psaki.
 
Bruksel: Europa do të kalojë në energji të gjelbra
 
Edhe shefi i diplomacisë europiane thotë se aktivitetet ruse vetëm e përshpejtojnë vendimin e Unionit që sa më shpejt të pavarësohet. 
 
“E dimë që duhet ta zvogëlojmë varshmërinë nga gazi rus dhe nafta. Vendimi i fundit i Rusisë nuk mund të bëjë asgjë përveç përshpejtimit të Europës për të kaluar më shpejt në energjitë e gjelbra, të cilat nuk e dëmtojnë klimën dhe ambientin, dhe nuk krijojnë varshmëri.”,- u shpreh përfaqësuesi i BE-së për politikë të jashtme, Jozef Borell.
 
Moska zyrtare ndërpreu furnizimin me gaz për Poloninë dhe Bullgarinë  për shkak të mospagesës me monedhën ruse Rubla. Në ndërkohë qeveria koreano-jugore vendosi që të rialokojë pjesë nga rezervat e saj të gazit drejt Europës. 
 
FLORIJE BELULI KAMBERI