Botë
Lufta në Ukrainë, BE furnizon me armatim të rëndë Ukrainën
28.04.2022 17:29
Luftimet në Ukrainë zhvillohen me intensitet më të fortë....

Luftimet në Ukrainë zhvillohen me intensitet më të fortë. Janë bombarduar shumë qytete, por forcat ruse i kanë intensifikuar luftimet në pjesën lindore të vendit.
“Armiku ka shtuar intensitetin e operacionit pushtues. Pushtuesit rusë kanë intensifikuar luftimet thuajse në të gjithë vendin. Aktivitetet më të mëdha janë shënuar në Slobozhansk dhe Donjeck.”,- tha zëdhënësi i Ushtrisë së Ukrainës, Oleksandër Shtupun.
Vendet e BE-së kanë filluar të furnizojnë Ukrainën me armatim më të rëndë, por rreziku për shtrirje më të gjerë të konfliktit është shumë i lartë.
“Ne duhet të sigurojmë që, krahas Ukrainës, Ballkani Perëndimor dhe vende si Moldavia e Gjeorgjia të kenë qëndrueshmërinë dhe të jenë në gjendje të ruajnë sovranitetin dhe lirinë e tyre sepse rreziku është i lartë që konflikti të përhapet.”,- tha sekretarja e jashtme e Britanisë së Madhe, Liz Truss.
Rusia vazhdon kërcënimet. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u shpreh se dhënia e armëve të rënda Kievit nga vendet perëndimore do të kërcënonte sigurinë e kontinentit europian.
“Tendenca e disa vendeve për të dërguar në Ukrainë armë të rënda provokon destabilitet dhe nxit luftën në vend që ta ndalojë.”,- theksoi zëdhënësi i Kremlini, Dmitry Peskov.
Rusia shantazhon edhe politikisht vendet e BE-së.
“Rusia e konsideron jo vetëm gazin, por edhe tregtinë si armë, dhe po pret momentin për ta përdorur në një fushë tjetër. Qëllimi është të shantazhojë politikisht evropianët.”,- u shpreh presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Gjykata ndërkombëtare Penale po kryen hetime në Ukrainë, për të zbardhur krimet e luftës.
“Nuk mund të qëndrojmë duar-kryq, duhet të lëvizim me guxim dhe të këmbëngulim për të kërkuar përgjegjësit e krimeve.”,- theksoi prokurori i Gjykatës Penale Ndërkombëtare, Karim A. Khan.
Largimi i forcave ruse nga rajoni Bucha afër Kievit nxori në pah të dhëna për vrasje brutale, torturë, si dhe varreza masive. Guterres vizitoi këto rajone.
"Kur shohim këtë vend të tmerrshëm, më bën të ndiej se sa i rëndësishëm është një hetim dhe llogaridhënie e plotë. Më vjen mirë që Gjykata Ndërkombëtare Penale e sheh këtë situatë. I bëj thirrje Federatës Ruse që të pranojë të bashkëpunojë me Gjykatën Penale Ndërkombëtare.”,- tha sekretari i përgjithshëm i OKB-së, António Guterres.
Guterres gjithashtu vizitoi edhe Moskën. Në takimin me presidentin rus, Vlladimir Putin, tha se mbështet negociatat mes të dyja vendeve, por u ankua që Rusia nuk pranon asnjë nga vendet e BE-së dhe ndonjë organizatë evropiane të bëhen palë në këto negociata.
FARIJE DAUTI BAKIJU
