Maqedoni
Drejtpërdrejt edhe në TVM2 në 20:30, Ansambli Kombëtar i Shqipërisë koncert në Shkup
28.04.2022 17:47
Në bashkëpunim me Ambasadën e Shqipërisë në Shkup, vjen sonte në një koncert ekskluziv....

Në bashkëpunim me Ambasadën e Shqipërisë në Shkup, vjen sonte në një koncert ekskluziv, Ansambli kombëtar i Këngëve dhe Valleve i Shqipërisë. Sonte në orën 20:30 në ARM - në shtëpinë tashmë të Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Shqiptare të RMV-së, artistët profesionistë të këtij ansambli sjellin për ju këngët e vallet më të bukura të trevave shqiptare. Transmetimin e drejtpërdrejtë dhe ekskluziv mund ta ndiqni edhe në TVM 2 në orën 20:30.
“Jemi të gatshëm për të bërë një shfaqe dinjitoze për të gjithë artdashësit. Unë jam I bindur se këtu muzika e vallet shqiptare, është e përditshme e nuk është se ju mungon sepse keni një ansambël që funksionin si duhet, e veçanta është që kur vijnë vëllezërit e tyre të Ansamblit të Këngëve e Valleve, kjo i kalon përmasat e bëhet një gjë edhe më e bukur.”,- deklaroi drejtori i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, Sokol Marsi.
“Ishte një ndërmarrje e mirë që sigurisht do t’i shërbejë rivlerësimit të traditës sonë të folklorit të mirëfilltë nëpërmjet profesionistëve. Urojmë që kjo shfaqe sot në Shkup të mos jetë e vetmja por të pasohet edhe nga aktivitete të tjera në bashkëpunim edhe me z. Tola. Ansambli i Këngëve e Valleve Shqipe në RMV, padyshim që ka shumë ngritje që nga fillesat e tij e shpresojmë për një bashkëpunim edhe më të ngushtë mes jush.”,- tha ambasadori i Repubikës së Shqipërisë në RMV, Fatos Reka.
