Publikohet identiteti i “Kasapëve” të Bucha-s në Ukrainë
Prokurorja e përgjithshme e Kievit, Iryna Venediktova....

Prokurorja e përgjithshme e Kievit, Iryna Venediktova ka postuar në Facebook detaje personale dhe fotografi të dhjetë oficerëve dhe nënoficerëve të brigadës famëkeqe 64 ruse nga Siberia, që tashmë bota i quan “ Kasapët e Bucha-s”.
Lista hapet nga rreshteri Vyacheslav Lavrentyev, pak më poshtë nga nëntetari Andriy Bizyaev, Grigory Naryshkin, Vasily Knyazev, Sergei Peskaryov; nëntetaret Semyon Maltsev, Mikhail Kashin, dhe Dmitry Sergienko dhe rreshter Nikita Akimov dhe në grup është edhe një gjeneral, Albert Radnaev.
Pothuajse të gjithë, si udhëheqësi i tyre i egër, nënkoloneli Omurbekov Azatbek Asanbekovich, tregojnë tiparet tipike të buriatëve, një popullsi midis Rusisë, Mongolisë dhe Kinës që përfaqëson pakicën më të madhe etnike siberiane.
Autoritetet ukrainase kanë lëshuar akuzat e para për krime lufte kundër tyre, duke i kërkuar kujtdo që i njeh të sigurojë prova për përfshirjen e tyre në masakrën e civilëve në rajonin e Kievit. Këtu është Bucha, ku pas tërheqjes së trupave nga Moska u gjetën të paktën 400 trupa në rrugë, në shtëpi, në varre masive.

Disa me duar të lidhura pas shpine dhe një goditje në pjesën e pasme të kokës, viktima të ekzekutimeve të vërteta. I ekzekutuan ata të njëjtët njerëz të cilëve Vladimir Putin u dha një nga nderimet më të larta në Rusi pak ditë më parë, duke i lavdëruar për heroizmin e tyre.
“Është provë se ka qenë Kremlini që ka orkestruar masakrat”, shpjegon prokurorja ukrainase, e cila në postim përshkruan dhunën e ushtruar nga dhjetë torturuesit e identifikuar. Disa prej tyre duken shumë të rinj, disa të portretizuar me kamuflazh dhe me mjete luftarake, disa me veshje civile.
Sipas asaj që u vërtetua nga hetimet, shkruan Venediktova, “gjatë pushtimit të Bucha-s ata morën peng civilë të paarmatosur, i lanë të vdisnin urie dhe etjeje, i grabitën, i mbanin në gjunjë me duar të lidhura dhe me sy të lidhur, i tallën dhe i rrahën me grushta.
“Njerëzit janë rrahur për informim dhe disa janë torturuar pa arsye”, vijon prokurorja. Ushtria ruse gjithashtu dyshohet se “kërcënoi të vriste viktimat dhe madje organizoi ekzekutimin e të burgosurve të tyre”.
Moska hedh poshtë të gjitha akuzat dhe vazhdon të flasë për lajme të rreme. Por prokuroria e Kievit, në orët kur Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres po vizitonte vendet e tmerrit të luftës në Ukrainë, bëri të ditur se kishte identifikuar mbi 8000 krime lufte ruse që nga fillimi i konfliktit.
Numri i viktimave të civilëve, vetëm në rajonin e Kievit, nga ana tjetër, rritet në mbi 1,150.
