Barcelona pëson nga Sosiedadi
Barcelona shpërdoroi një mundësi të artë për të marr kryesimin e Primera Divisionit nga Reali i Madridit...

Skuadra katalanase humbi në “Anoeta” ndaj Real Sociedadit me rezultatin 1-0, në një ndeshje ku Messi dhe Neymar u futën në lojë vetëm në pjesën e dytë. Përcaktues ishte autogoli i Jordi Albas, I shënuar që në minutën e dytë të ndeshjes.
Për t’u shënuar është fakti se Real Sociedad ka mundur tre ekipet e mëdha të kampionatit spanjoll gjatë këtij sezoni: Barcelonën, Atletico Madridin dhe Real Madridin.
Trajneri Luis Enrique, pas ndeshjes pranoi se veproi gabim në përcaktimin e formacionit titullar, duke lënë në stol dy lojtarët e tij më të mirë: Messi dhe Neymar. Argjentinasi dhe braziliani, me lejen e klubit ishin kthyer më vonë se shokët e skuadrës nga pushimet e fundvitit dhe tekniku vendosi që t’i linte më shumë kohë për rikthimin në fushë.
Pas aktivizimit të tyre, në pjesën e dytë, brenda një minuti, katalanasit kishin dy raste të shkëlqyeshme, përmes Luis Suarezit, por uruguajani, në të dyja orvatjet u ndal nga intervenimet fantastike të portierit vendas, Rulli.
Kështu dej në mbyllje të ndeshjes, gjërat shkuan keq dhe Barcelona vazhdon të mbetet në vendin e dytë të renditjes me 38 pikë, 1 më pak se Reali, por edhe me një ndeshje më shumë të luajtur se rivali jetik.
