Maqedoni
Kreu shtetëror uron festën e punëtorëve
01.05.2022 16:51
Presidenti Stevo Pendarovski ka uruar me rastin e festës së punëtorëve me një mesazh se 1 Maji...

Presidenti Stevo Pendarovski ka uruar me rastin e festës së punëtorëve me një mesazh se 1 Maji është një mundësi reale për të kujtuar aspiratat tona për një shoqëri më të mirë dhe me të drejtë evropiane. Mesazhi për 1 Majin, thekson ai, është për të gjithë qytetarët, punëtorët dhe luftëtarët për një të nesërme më të mirë.
“Detyra jonë nuk është vetëm sigurimi dhe mbrojtja e tyre, por edhe promovimi i vazhdueshëm i të drejtave të punëtorëve. Të jemi të zëshëm ndaj padrejtësive, të respektojmë punëtorët dhe të drejtën e tyre për një jetë dinjitoze, sepse vetëm kështu do t’ia dalim në progresin e nevojshëm që meriton çdo punëtor dhe çdo qytetar", thuhet në urimin e presidentit Pendarovski.
Edhe Kryeparlamentari Talat Xhaferi ka dërguar një mesazh urimi me rastin e 1 Majit – Ditës Ndërkombëtare të Punës. Në urim, Xhaferi tha se të gjithë duhet të luftojmë vazhdimisht për respektimin e të drejtave të punës dhe të punëtorëve, por iu referua edhe protestës së edukatorëve, duke shprehur shpresën se së shpejti do të arrihet një marrëveshje për të ardhurat e tyre sepse fëmijët, siç theksoi, nuk duhet të vuajnë.
“Çdo ditë, çdo orë duhet të luftojmë të gjithë për respektimin e mundit të punëtorit dhe të drejtave të punëtorit, për sigurimin e kushteve dinjitoze për punë, për mbrojtjen e vendeve të punës dhe krijimin e vazhdueshëm të vendeve të reja, për pagë dinjitoze dhe vlerësim të barabartë të punës së çdo punëtori ose punëtoreje, pa diskriminim”, thuhet në urimin e Xhaferit.
Edhe Kryeministri Dimitar Kovaçevski ua ka uruar ditën e punëtorëve – 1 majin të gjithë punëtorëve në vend. Në mesazhin e tij për festën, kryeministri theksoi se punëtorët në të dhe në Qeveri kanë aleat për çdo çështje dhe se të gjithë së bashku, Qeveria, punëtorët dhe sindikatat do t’i kalojmë të gjitha sfidat.
“Punëtorët janë forca lëvizëse e ekonomisë dhe zhvillimit shoqëror. Prandaj kjo Qeveri dhe unë si Kryeministër e njohim dhe vlerësojmë punën e tyre. Këtë vit ne festojmë Ditën Ndërkombëtare të Punës në kushtet e krizës globale ekonomike dhe energjetike. Përkundër të gjitha sfidave, ne mbetemi të përkushtuar për përmirësimin e kushteve të punës dhe rritjen e pagave të punëtorëve”, thuhet në urimin e kryeministrit Kovaçevski.
SANIJE DURAKU
