Lavrov: Rusia nuk synon të përfundojë luftën me 9 maj

02.05.2022 10:43

Rusia nuk synon t’i japë fund luftës në Ukrainë....

Rusia nuk synon t’i japë fund luftës në Ukrainë deri në Ditën e Fitores, që shënohet më 9 maj, tha ministri i Jashtëm i këtij vendi, Sergei Lavrov.

Duke folur për median italiane Mediaset, ai tha se Moska nuk do të nxitojë të përfundojë të ashtuquajturin “operacion special ushtarak” deri në këtë datë. “Ushtria jonë nuk do t’i përshtatë artificialisht veprimet e saj rreth asnjë date, përfshirë edhe Ditën e Fitores. Ritmi i operacionit në Ukrainë varet, para së gjithash, nga nevoja për të minimizuar çdo rrezik për popullatën civile dhe për personelin ushtarak rus”, - tha Lavrov.

9 Maji shënon dorëzimin e Gjermanisë naziste përballë forcave aleate – përfshirë Bashkimin e atëhershëm Sovjetik – më 1945.

Rusia zakonisht shënon Ditën e Fitores me një paradë të madhe ushtarake në qendër të Moskës.

Por, festimet e këtij viti vijnë nën hijen e pushtimit rus të Ukrainës, të cilin Putin e ka justifikuar me pretendimet se fqinji i tij duhet të “denazifikohet” dhe “çmilitarizohet” për të shpëtuar popullatën rusishfolëse atje.