Bajrami i fitrit, politikanët urojnë besimtarët muslimanë
Krerët politik kanë uruar besimtarët muslimanë....

Krerët politik kanë uruar besimtarët myslimanë në vend. Mesazhi i tyre në këtë ditë festive është që të mbizotërojë solidariteti, toleranca, mirëkuptimi i ndërsjellë, bashkëjetesa dhe mirësia.
“Vetëm të bashkuar mund të kapërcejmë krizat shëndetësore, ekonomike dhe energjetike si dhe të gjitha kërcënimet e mundshme të sigurisë. Pikërisht festat janë kujtim se të bashkuar, solidarë dhe me mendim të pastër e zemër të pastër, mund të ndërtojmë një shoqëri të begatë dhe një jetë më të mirë, më të qetë dhe më dinjitoze për të gjithë qytetarët”, - potencon në urim presidenti Stevo Pendarovski.
“Shpresoj se të gjithë besimtarët e devotshëm do e mirëpresin Bajramin në një dimension më të lartë të fisnikërimit dhe ndërgjegjes së mendjes dhe trupit dhe atë energji të njëjtë do e ndajnë me të afërmit, me miqtë dhe të njohurit që fryma dhe aroma festive të përmbushë të gjitha shtëpitë dhe të rrezatojë ngrohtësi dhe dritë qe do i ngrohë zemrat, do të sjellë paqe dhe qetësi në shpirtrat dhe do të udhëzojë kah ndërtimi i respektit të ndërsjellë, ndjenjës së solidaritetit dhe humanizmit”, thuhet në urimin e kryeparlamentarit Xhaferi.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski përmes një videourimi, pëkrujton se festa e Bajramit të Fitrit, forcon besimin e njerëzve në të mirën, të vërtetën dhe drejtësinë “Fundi i agjërimit dhe shpërblimet që fitohen në muajin e Ramazanit, zbukurojnë besimtarët me shpirtin e durimit, vetëmohimit dhe bujarisë , për të ndarë të mirën me anëtarët e familjes, të afërmit, miqtë dhe fqinjët. Këto vlera kanë rëndësi të posaçme për krizën aktuale globale” – tha Kryeministri Dimitar Kovaçevsk.
Edhe krerët e parive politike shqiptare kanë uruar besimtarët myslimanë
“Qofshin të bashkuara gjithmonë si sot zemrat tona rreth vlerave të larta të besimit, bamirësisë, solidaritetit dhe respektit ndaj njëri tjetrit. Shumë gëzime, shëndet dhe mbarësi le të ketë gjithmonë në familjet tuaja“, thuhet në urimin e kreut të BDI-së, Ali Ahmeti .
“Uroj që ky Bajram të jetë nismë për një mirëqenie të përgjithëshme dhe të ketë plot dashuri, respekt dhe solidaritet. Le të jetë kjo festë një rast për të shpalosur akoma më thellë ndjenjat e vullnetit të mirë, respektit të ndërsjellë dhe përpjekjes së përbashkët në realizimin e synimeve tona“, thotë kreu i PDSH-së Menduh Thaçi .
“Duke u gjendur në këtë ditë Bajrami, dëshiroj që nga thellësia e zemrës së ushqyer me agjërim, të gjithë besimtarëve myslimanë t’ua uroj festën e madhe të Bajramit të Fitrit, duke u dëshiruar që këtë festë të kalojnë pranë më të dashurve të tyre, në vizita familjare, në dashuri me fqinjët dhe në kujdes për skamnorët e nevojtarët”, thotë kryetari i Alternativës, Afrim Gashi .
“Uroj që në familjet tuaja të mbizotërojë harmonia, lumturia dhe dashuria. Le të sjellë kjo festë më shumë begati, paqe në botë dhe shëndet për gjithësecilin. Festofshi për shumë mote, me më të dashurit tuaj”, uron kreu i ASH-së Zijadin Sela.
“Fitër Bajrami ofron gëzim në zemrat tona, ofron ndjenjën më të bukur të solidaritetit mes njerëzve, paqes dhe begatisë shpirtërore e njerëzore. Festat na bëjnë të jemi më afër njëri-tjetrit. E gëzofshi Fitër Bajramin, festën e madhe të solidaritetit!”, thotë kreu i lëvizjes Besa, Bilall Kasami.
Urim edhe nga kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickovski që as në këtë ditë nuk i ka akuzat kundër qeverisë.
“Maqedonia për një kohë të gjatë ka qenë peng i krimit dhe korrupsionit të elitave, për shkak të të cilit ne kemi gjithnjë e më pak Maqedoni dhe populli ynë po jeton më i varfër. Ne duhet ta ndryshojmë këtë, dhe këtë do ta bëjmë për hir të së ardhmes së brezave tanë të ardhshëm”, thuhet në urimin e Mickoskit.
