“Shkupi 2014”, projekt i vjetër, sherr i ri
Projekti “Shkupi 2014” është rikthyer në debatin politik....

Projekti “Shkupi 2014” është rikthyer në debatin politik mes VMRO DPMNE-së opozitare dhe LSDM-së në pushtet. LSDM akuzon qeverisjen e VMRO DPMNE-së të kryesuar nga Nikolla Gruevski për shpërdorim të një miliardë euro, para buxheti, për këtë projekt ndërkaq, kjo e fundit, thotë se në mesin zyrtarëve të asaj kohe, mysafir i shpeshtë ka qenë edhe kryeministri aktual Dimitar Kovaçevski.
VMRO: Kovaçevski hipokrit, hajde në zgjedhje
Fton LSDM-në në zgjedhje të parakohëshme parlamentare që, qytetarët të vendosin se çfarë qeverisje dëshirojnë.
“Hajde z. Kovaçevski, merrni guximin dhe dilni në zgjedhje. Verifikoni legjitimitetin në popull, verifikoni integritetin dhe të shohim se çfarë mendojnë dhe çfarë do të thonë për ju. Të shihni se çfarë mendon populli për hipokrizinë tuaj, për politikat tuaja dhe paaftësinë tuaj si qeveri që të përballet me krizat pasi për momentin është më keq se koha më e keqe kur ishte Zoran Zaev.” – deklaroi zëdhënësi i VMRO DPMNe-së, Dimçe Arsovski.
LSDM: Keni frikë, mbroni krimet e Gruevskit
Hristijan Mickovski ia ka frikën Kovaçevskit prandaj që nga dita e parë e mandatit, VMRO DPMNE me dëshpërim dhe pa sukses përpiqet ta diskreditojë atë, u kundërpërgjigjën nga LSDM.
“Lidershipi, aftësia, vendosmëri adhe suksesi i Kovaçevskit në menaxhimin e krizës më të madhe energjetike dhe ekonomike ka nxit frikë dhe dëshpërim në VMRO DPMNE. Nga ana tjetër edhe VMRO DPMNE edhe Mickovski ende kërkojnë mënyrë për të mbrojtur, maskuar dhe arsyetuar krimin e Nikolla Gruevskit, në vend që të kërkojnë falje dhe të distancohen nga krimet e tij.”- thuhet në reagimin e LSDM-së.
Partia e Kovaçevskit ka refuzuar kërkesën për zgjedhje të parakohëshme parlamentare ndërkaq, VMRO DPMNE ka paralajmëruar radikalizimin e veprimtarisë së saj opozitare.
I kanë dhënë Kovaçevskit 10 ditë kohë që të rimendojë kërkesën e tyre për zgjedhje. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
