Vazhdon beteja për Mariupolin, rinisin operacionet e evakuimit të civilëve
Kievi zyrtar thotë se në orët e fundit....

Kievi zyrtar thotë se në orët e fundit janë ndaluar 10 sulme në rajonet e Donetskut dhe Luhanskut. Në Mariupolin e shkatërruar nga lufta, rinisën operacionet e evakuimit të civilëve pas dakordësisë mes ushtrisë së Kievit dhe Moskës.
Disa autobusë lanë qytetin në drejtim të Zaporizhzhias. Situatë tepër e vështirë paraqitet në fabrikën e çelikut Azovstal, ku forcat ruse rinisën bombardimet dhe luftimet.
Autoritetet ukrainase thonë se aty kanë mbetur të bllokuar rreth 200 persona, përfshirë 20 fëmijë.
Më herët aty u evakuuan 100 civilë gjatë armëpushimit të dy ditëve të kaluara.
Të shpëtuarit nga uzina e çelikut kanë përshkruar se me çfarë u përballën nën rrethim, ku një grua tha se nuk kishte parë rrezet e diellit për dy muaj me radhë.
“Po ju presim tashmë dy muaj”
“Dy muaj, kaq gjatë. Kemi ardhur me anëtarë të OKB-së dhe të kryqit të kuq. . sa kohë kanë fëmijët pa ngrënë?”
“Dje ka ngrënë për të fundit herë, është 6 muajsh.
“ Qe dje ju ka mbaruar ushqimi?”
“Po që dje. Fëmijët duan të hanë. Ne të rriturit edhe durojmë, po fëmijët jo”.
“Po përpiqemitë evakuojmë sa më shumë sa pa filluar të shtënat”
“Do vijmë këtu edhe nesër, patjetër që do ju nxjerri që këtu” – u shprehën disa qytetarë ukrainas.
Prokuroria e Ukrainës ka identifikuar 621 rusë të dyshuar për krime lufte. Por nga ana tjetër, kryetari i parlamentit të Rusisë akuzon si kriminelë lufte krerët e shteteve që armatosin Kievin.
Vojçeslav Volodin paralajmëroi se vendet europiane të udhëhequra nga Gjermania, mund t’i shkaktojnë popujve të tyre probleme të mëdha duke u bërë kështu pjesë e konfliktit.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan bëri me dije se me shumë mundësi do të takohet gjatë kësaj jave me homologun rus, Vladimir Putin.
Në fjalën e tij, pas faljes së Namazit të Bajramit, Erdogan u shpreh se Ankaraja ose Stambolli mund të jenë perfekte për të diskutuar masat që duhet të ndërmerren për të ulur tensionin në Ukrainë.
Teksa të gjthë presin paqe, Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov ka hedhur poshtë zërat se lufta e Rusisë në Ukrainë do të përfundojë në 9 maj me një paradë në qytetin e Mariupolit.
9 Maji shënon dorëzimin e Gjermanisë naziste përballë forcave aleate më 1945. Zakonisht kjo datë përkujtohet me një paradë të madhe ushtarake në Moskë.
