Botë
Greqi, fillon ndërtimi i stacionit të gazit të lëngshëm
03.05.2022 12:08
Në Aleksandropolis të Greqisë lindore, përurohet terminali i ri i gazit të lëngshëm që shihet si zgjidhje për të shmangur mvarësinë nga gazi rus....

Në Aleksandropolis të Greqisë lindore, përurohet terminali i ri i gazit të lëngshëm që shihet si zgjidhje për të shmangur mvarësinë nga gazi rus.
Përurimi i terminalit bëhet në prani të kryeministrit Kyriakos Mitsotakis, presidentit të Këshillit të BE-së, Charles Michel, të kryeministrave të Bullgarisë, Kiril Petkov, kryeminsitit të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçerski, presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe ministrave të Energjisë së vendeve ballkanike.
Fillimi i punimeve të ndërtimit në terminalin lundrues të magazinimit dhe gazifikimit LNG në pjesën e hapur detare të Alexandroupolis do të përfundojë në dhjetor 2023 dhe Greqia do të mund të plotësojë vetëm nga ky stacion rreth 80% të nevojave të saj për gaz natyror. Impianti i ri, do të ndërtohet në bashkëpunim me Bullgarinë dhe do të lidhet nëpërmjet gazsjellësit IGB që do të jetë gati muajin e ardhshëm dhe do të jetë në gjendje të furnizojë me gaz Maqedoninë e Veriut, e cila pritet të jetë partnere në projekt, ashtu si edhe Serbia.
Njësia lundruese në det të hapur është rreth 300 metra e gjatë, do të vendoset në një distancë prej 17.6 km nga porti i Aleksandropolis dhe do të lidhet me terminalin me një tubacion 28 km të gjatë. Kjo njësi lundruese do të marrë gaz natyror të lëngshëm nga cisternat (kryesisht amerikane, por jo vetëm ) dhe do të ruajë atë në depozitat e saj. Kur të gazifikohet, do të futet në tubacion dhe në sistemin e furnizimit. Kapaciteti i përgjithshëm do të arrijë në 5.5 miliardë metra kub, me nevojat totale të Greqisë që arrijnë në 7 miliardë metra kub.
Sipas burimeve qeveritare inagurimi i kësaj njësie LNG në kushtet aktuale, me përpjekjet e BE-së për t’u shkëputur nga gazi rus dhe mbështetjen e fuqishme nga SHBA, ka një rëndësi strategjike për Greqinë sa i përket rolit gjeopolitik në rajon, pasi bëhet një portë energjetike për Europën dhe rajonin.
