Maqedoni
Doris Pak: MO-ja, baza e bashkëjetesës në Maqedoni
05.01.2015 15:56
Ish-deputetja gjermane në Parlamentin Evropian, Doris Pak, ka rikujtuar edhe një herë politikën në vend se Marrëveshja e Ohrit..

Ish-deputetja gjermane në Parlamentin Evropian, Doris Pak, ka rikujtuar edhe një herë politikën në vend se Marrëveshja e Ohrit krijoi bazë për bashkëjetesën në Maqedoni, ndërsa të drejtat për shqiptarët shënuan fillimin e ri për vendin.
Në deklaratë për TVM-në, ajo ka folur edhe për ndodhitë rreth eurointegrimeve të Ballkanit dhe Evropës, me të cilat ajo drejtpërdrejtë merrej nga viti 1989 deri në vitin 2014. Lidhur me bllokimin dhe moslejimin e Maqedonisë për t’i filluar negociatat për anëtarësim me BE-në, Pak mendon se BE-ja gabon.
“Ky është një gabim dhe kjo ndodh për shkak të rregullit tonë që obligon Këshillin e BE-së të vendosë vetëm njëzëri për çeljen e negociatave. Greqia është ajo që vazhdon të bllokojë. Nuk e di si të shprehem. Nuk do të flisja për Greqinë, por për politikanët grekë që nuk shohin se ç’ndodh në anën tjetër dhe nuk janë dakord që vendi të ecë përpara drejt BE-së. Kjo gjë vjen nga një vend anëtar i BE-së, anëtar i NATO-s? Nga çfarë ka frikë Greqia? Nga asgjë. Nga një vend i vogël që quhet Maqedoni? Ruana Zot! Nëse themi Maqedonia ose Maqedonia Veriore, në fund nuk mund të mohojmë se njerëzit që jetojnë atje janë maqedonas”- deklaroi ish-deputetja në Parlamentin Evropian, Doris Pak.
Pak, vlerëson se nacionalizmi grek, i cili po shkakton bllokadën drejt BE-së, po nxit nacionalizmin maqedonas. Ish-eurodeputetja nënvizoi se vendet anëtare të BE-së nuk duhet të kenë nacionalizëm.
“Kur ende isha në Parlamentin Evropian, flisnim për ndihmën financiare të Greqisë. Unë isha e vetmja që në diskutimin tim thashë që ajo në këmbim duhet të sillet në mënyrë më evropiane dhe të na ndihmojë të zgjidhim problemin mes dy vendeve. Mora premtime të këndshme nga kolegët e mi dhe edhe një herë dua të theksoj se ai nacionalizëm nuk guxon të ekzistojë në një vend evropian, mendoj se kisha ortodokse luan rol të rëndësishëm në këtë çështje”- tha Pak.
Ish-deputetja evropiane e Gjermanisë tha se në veçanti është e shqetësuar për situatën në Bosnjë e Hercegovinë dhe për atë se si t’i kërkohet Serbisë ta njohë pavarësinë e Kosovën kur ajo ende nuk njihet nga të gjitha vendet anëtare të BE-së.
MEFAIL ISMAILI
