Ekonomi
Ekonomi, përplasen LSDM dhe VMRO–DPMNE
03.05.2022 13:58
Kanë vazhduar përplasjet mes LSDM-së dhe VMRO-DPMN-së rreth situatës ekonomike në vend...

Kanë vazhduar përplasjet mes LSDM-së dhe VMRO-DPMN-së rreth situatës ekonomike në vend. Partia në pushtet LSDM thotë se me sukses po përballet me krizën energjetike duke i angazhuar të gjitha kapacitet për energjinë elektrike dhe se shteti nuk është i varur prej importit të rrymës së shtrenjtë.
“Qeveria e udhëhequr nga LSDM, me masa dhe hapa me kohë mbrojti standardin e qytetarëve nga goditjet e çmimeve gjatë rritjes së çmimeve të energjencave në bursat botërore. Shteti sot subvencionon 80 për qind të çmimit të energjisë elektrike për familjet. Me këtë masë dhe uljen e TVSh-së në pesë për qind, një familje kursen mesatarisht 2.150 denarë nga faturat e energjisë elektrike. Me uljen e akcizës dhe TVSH-së për karburantet, çmimi i derivateve të naftës në Maqedoninë e Veriut është më i ulëti në rajon.”,- tha Martin Kostovski nga LSDM.
Kanë reaguar nga VMRO-DPMNE duke akuzuar partitë në pushtet për paaftësinë për t’u përballur me krizën dhe shtrenjtimit të jetës së qytetarëve.
“Mbi 35% e popullatës jetojnë në rrezik nga varfëria, ndërsa vendi është në mesin e 5 vendeve më të varfra në Europë. Jemi të fundit në rajon sa i përket rritjes ekonomike, tërheqjes së investimeve të huaja, ndërsa nuk ka as investime kapitale. Qytetarët mezi po ia dalin. Inflacioni në muajin mars ka arritur në 8.8%, kemi rritje të çmimet të rrymës për 30%, të derivateve 80%, një kilogram miell për 83% më shtrenjtë, ndërsa një litër vaj është rritur për 107% dhe qumështi 47%.”,- thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.
Po ashtu nga VMRO-DPMNE me kritika ndaj qeverisë për rritjen e borxhit publik, pasi qeveria ka paralajmëruar një huamarrje të re prej 900 milionë eurosh të cilat siç theksojnë nga kjo parti nuk do të shërbejë për zhvillim por për likuiditet buxhetor. Nga VMRO-DPMNE po ashtu kanë kërkuar që sa më shpejt vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
GAZMEND KURTISHI
