Botë

Zelensky i drejtohet Parlamentit shqiptar: Mirënjohje për mbështetjen e Shqipërisë

03.05.2022 15:10

Në ditën e 69 të pushtimit të Ukrainës nga Rusia, presidenti Volodymyr Zelenski iu drejtuar ligjvënësve shqiptarë në një fjalim që zgjati 15 minuta....

Në ditën e 69 të pushtimit të Ukrainës nga Rusia, presidenti Volodymyr Zelenski iu drejtuar ligjvënësve shqiptarë në një fjalim që zgjati 15 minuta. Në mesazhin e tij, Zelenski foli për masakrat ruse, ndërsa shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Shqipërisë, që i kujton Shën Terezën.
 
"Mbështetja në kohë të vështira për ne më bën të kujtoj Nënë Terezën, shqiptaren që u kthye në simbolin e humanizmit në të gjithë botën, Ajo mësoi se humanizmi mund të mposhtë të keqen. Besoj se duke punuar bashkë me të gjithë europianët, ne do jemi në gjendje të ndalojmë këtë luftë dhe të jemi në gjendje të mbrojmë Europën në të ardhmen. Paketa e 6 e sanksioneve po diskutohet, por duket se nuk përfshinë embargon e naftës.”,- u shpreh presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenski.
 
Zelenski foli edhe për importin e drithërave ruse nga Serbia, ndërsa i kërkoi qeverisë shqiptare të mos pranojë turistë rusë.
 
“Bankat ruse duhet të përjashtohen plotësisht nga sistemi bankar, sado e vështirë të jetë. Nëse nuk bëhet sot, nesër Rusia do ta përdorë për të goditur financiarisht vendet tuaja në të ardhmen. Duhet të kufizoni ardhjen e turistëve rusë pasi ju nuk e dini se cilët do të vijnë, ndonjëri nga ata mund të jetë autor i masakrës në Bucha.”,- theksoi Zelenski.
 
Rama: Jeni sakrifica ekstreme e një populli liridashës
 
Për kryeministrin Rama, me rezistencën e tyre ukrainasit po i bëjnë një shërbim të çmuar botës, deri dje të përgjumur.
 
"Ndarja e nënave e fëmijëve nga baballarët që qëndrojnë për të luftuar, qëndresa juaj në krye të shtetit që nuk pranon të dorëzojë liritë e fituara, janë sakrifica ekstreme të një populli liridashës dhe një shërbim i çmuar që po i bëni botës, deri dje të përgjumur, demokratike. Të gjithë e dimë se kjo luftë mund të mos jetë e shkurtër, ku çdo ditë që kalon me tmerret e reja e zgjat shtegun e ngushtë drejt paqes.”,- tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
 
Fjalimi i Zelenskit në parlament është I dyti kontakt me autoritete shqiptare, pas bisedës telefonike që pati më 5 mars me kryeministrin Rama., të cilit i shprehu mirënjohje për rreshtimin pro Ukraniës.
 
LULJETA NDOKA