Botë
Lufta në Ukrainë, civilë të vrarë nga bombardimet ruse
03.05.2022 15:49
Të paktën nëntë civilë janë vrarë nga bombardimet ruse në rajonin Donetsk të Ukrainës lindore.

Të paktën nëntë civilë janë vrarë nga bombardimet ruse në rajonin Donetsk të Ukrainës lindore. Numri i viktimave mund të jetë më i lartë, sepse dyshohet për njerëz të mbetur nën rrënoja.
“Të paktën tre civilë ishin vrarë gjatë një bombardimi ajror të qytetit Avdiivka. Tre të tjerë u vranë duke pirë ujë në qytetin Vuhledar dhe tre u vranë në granatimet e qytetit të Lyman.”,- tha guvernatori rajonal, Pavlo Kyrylenko.
Në Odessa, zjarrfikësit luftojnë për shuarjen e flakëve të zjarrit pas sulmit vdekjeprurës me raketë që goditi një ndërtesë në portin e Detit të Zi. Nga ky sulm pati viktima dhe të plagosur.
“Një djalë 14-vjeçar u vra. Një vajzë 17-vjeçare ka mbetur e plagosur, ka një plagë nga predha. Për çfarë? Me çfarë e kërcënuan këta fëmijë shtetin rus? Dhe kështu ata luftojnë? Kjo është e gjitha?”,- tha presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy.
Rusia vazhdon të këmbëngulë se godet objekte ushtarake, pavarësisht vrasjes së civilëve.
“Raketat Onyx me precizion të lartë goditën një qendër logjistike në një aeroport ushtarak pranë Odesës, e cila u përdor për dërgimin e armëve të huaja. Hangarët me avionë pa pilot Bayraktar TB2, si dhe armë raketore dhe municione të marra nga SHBA dhe vendet evropiane, u shkatërruan.”,- tha zëdhënësi rus i Ministrisë së Mbrojtjes, Igor Konashenko.
Të evakuuarit nga Mariupoli i shkatërruar arritën në Zaporizhia, ata përfituan nga hapja e korridoreve humanitare dhe u larguan nga qyteti.
“Jemi shumë të lodhur dhe nuk mund të flas. Nuk ndihem mirë pas kaq shumë bombardimeve dhe dy ditësh në rrugë.",- tha një person i evakuuar.
“Jam e shkatërruar plotësisht nga bombardimet. Pse kjo luftë? Kujt i duhet kjo luftë? Fqinjët e mi kanë vdekur, njerëzit që kanë lindur dhe janë rritur me mua. Shumë fëmijët vdiqën. Trupat e pajetë janë shpërndarë në rrugë dhe askush nuk shkoi atje për t'i hequr.”,- theksoi një person i evakuuar.
"Më e vështira ishte të mos dija asgjë për të afërmit e mi që jetonin 5 minuta larg.",- tha një person i evakuuar.
"Shumë njerëz vinë me plagë të predhave, apo me plagë plumbash. Disa janë me sëmundje të tjera, na izolimi dhe mosushqyerja.”,- deklaroi mjeku, Dmitri Matveev.
Edhe pse një pjesë e civilëve janë evakuuar nga Mariupoli, akoma ka njerëz të mbijetuar në fabrikën e çelikut Azovstal. Përpjekjet për evakuuimin e tyre vazhdojnë.
"Operacioni është ende duke u zhvilluar, është një operacion kompleks, delikat, ka disa faktorë për të cilët duhet të kemi kujdes, për sa kohë që civilët dhe të evakuuarit nuk kanë mbërritur. Në Mariupol akoma ka civil të cilët presin t’i evakuojmë.",- u shpreh zëdhënësi i OKB-SË për çështje humanitare, Saviano Abreu.
Në Chernihiv, pas largimit të ushtrisë Ruse, dalin raporte për vrasje, plaçkitje, përdhunime dhe tortura. Hetuesit kërkojnë mbetjet e të vrarëve. Nga kjo luftë humbën jetën mijëra civil në mesin e tyre 357 ishin fëmijë.
FARIJE DAUTI BAKIJU
