Maqedoni

Schwarz: Faj për mosmarrjen e datës ka edhe politika maqedonase

05.01.2015 16:04

Mosmarrja e datës së negociatave për anëtarësim është rezultat i bllokadës greke nga njëra anë por edhe i vetë klasës politike në Maqedoni...

Mosmarrja e datës së negociatave për anëtarësim është rezultat i bllokadës greke nga njëra anë por edhe i vetë klasës politike në Maqedoni, pavarësisht pozicionit të tyre.
 
Kështu ka vlerësuar njohësi i politikave evropiane, Oliver Schwarz, në një intervistë për DW-në në gjuhën maqedonase.
 
Ai thotë se faj ka edhe politika e brendshme maqedonase, e cila me veprimet e saj, siç vlerëson profesori, “ka rrezikuar humbjen e besimit të shumë miqve të Maqedonisë brenda BE-së”, por edhe opozita, të cilët nuk arritën të kryenin detyrat për një veprim konstruktiv opozitar, thotë Schwarz.
 
Ai shtoi se “pavarësisht nga kjo, ka ende shanse për Maqedoninë”, sepse Komisioni Evropian ka disa vite që përpiqet të mbajë gjallë procesin e zgjerimit. 
 
“Fakt është nga ana tjetër se brenda Këshillit të BE-së vlen votimi i njëzëshëm. Greqia në këtë moment duket se nuk është e gatshme të bëjë lëshimin që do t’i mundësonte Maqedonisë, e cila nga viti 2005 ka statusin e kandidatit, të shkojë përpara”- deklaroi Schwarz.
 
Sipas Schwartz, nëse vjen deri te ndërrimi i pushtetit në Greqi, Maqedonia mund të debllokojë hapjen e negociatave me BE-në, por kjo do të ndodhte vetëm nëse vjen deri te ndryshimi i Qeverisë në Greqi, nënvizon ai.
 
Schwarz, është optimist se udhëheqja e re në Komisionin Evropian mund të sjellë ndikim pozitiv sa i përket kësaj çështje, teksa dëshiron që klasa politike në Maqedoni të mos fshihet pas egoizmit partiak, por të ketë fuqi të ndërtojë një përgjegjësi nacionale për ta çuar vendin para.
 
NAIM RAMADANI