Maqedoni
Sinoptikët: deri të premten valë e re e të ftohtit
05.01.2015 16:42
Ulje të sërishme të temperaturave deri në minus 15 gradë celsius na presin ditëve të ardhshme. Alarmi lëshohet nga Enti Hidrometeorologjik...

Sinoptikanët thonë se gjatë natës mund të ketë reshje të dobëta të borës, të cilat në lartësitë malore mund të arrijnë një shtresë të hollë deri në 3 cm, por i ftohti me erëra të fuqishme në drejtim të veriut do të jetë prezent deri të premten.
Fundjava do të jetë e ngrohtë me temperatura prej 3 deri në 12 gradë celsius.
“Gjatë ditëve të ardhshme do të mbretërojë mot i thatë, por më i ftohtë, veçanërisht në orët e mëngjesit, ku temperatura do të lëviz nga minus 15 deri në minus një. Gjatë ditës do të ketë rritje të vogël të temperaturave. Nga e premtja pritet që temperaturat të rriten gradualisht, si gjatë mëngjesit ashtu edhe gjatë ditës. Do të thotë se do të kemi mot stabil pa reshje bore”- deklaroi sinoptikania, Dushanka Tanushevska.
Ekipet e Ndërmarrjes “Makedonija Pat” kishin dalë në teren për të pastruar rrugët kryesore të kryeqendrës.
Shtresë e hollë e ngricës tashmë vërehej vetëm në disa rrugica. Kjo për dallim nga ditët e shkuara nuk vështirësonte qarkullimin e qytetarëve.
Disa prej tyre megjithatë kishin vërejtje dhe porosi deri tek autoritet që të jenë në gjendje gatishmërie në rast se kaplojnë reshje të sërishme të borës.
“Duhet me e rregullu komunikacionin më së shumti për udhëtarët, se për 24 orë 28 persona kanë shkuar në spital për shkak të thyerjeve”- u shpreh një qytetar.
“Ftohti i madh, nxemje jo, rrymën e paguajmë aq shtrenjtë, i kanë shtuar ato çmimet, se çka kanë bë një Zot e di, as 150 volt nuk është rryma. Provo të nxehesh me rrymë nuk ka shans”- theksoi një qytetar.
“Megjithëse ka pasur probleme e vështirësi në lëvizje si për këmbësorët po ashtu edhe për automjetet në komunikacion, nuk pajtohem me atë se ka qenë shumë dimri i fortë. Ishin vetëm disa ditë që kishim lëvizje të vështirësuar të njerëzve, vetëm ditët e fundit, katër-pesë ditë”- tha një qytetar.
Autoritetet ndërkohë vazhdojnë me apelet e tyre që pa marrë parasysh motin, i cili do të mbretërojë ditëve në vijim, qytetarët vazhdimisht të jenë të përgatitur me pajisjet dimërore, me qëllim të anashkalimit të aksidenteve rrugore.
MERAL ISMAILI
