Botë
Covid-19, rikthehen rastet e reja, mbyllen 40 metro në Pekin
04.05.2022 10:53
Pekini ka mbyllur rreth 10 për qind të stacioneve të metrosë, si masë kundër përhapjes së virusit korona....

Pekini ka mbyllur rreth 10 për qind të stacioneve të metrosë, si masë kundër përhapjes së virusit korona. Këtë të mërkurë, Pekini regjistroi 51 raste të reja Covid, pesë prej të cilave ishin asimptomatike. 41 raste të reja të transmetuara në nivel lokal dhe nëntë asimptomatike u zbuluan të hënën. Nga 22 prilli deri këtë të mërkurë numri kumulativ i rasteve në Pekin arriti në 453.
Me rritjen e re të shifrave, autoritetet kanë ndërmarrë një sërë masash, duke lejuar vetëm shërbimin ‘merre me vete’ nga restorantet dhe baret. Shumica e qendrave turistike në Pekin, përfshirë edhe Kopshtin Zoologjik, janë mbyllur. Kopshtet e fëmijëve, dhe shkollat fillore dhe të mesme në të gjithë Pekinin do të mbyllen gjithashtu nga 5 deri më 11 maj. Banorëve u kërkohet që t’iu nënshtrohen tri testeve brenda javës, pasi autoritetet po tentojnë që të zbulojnë dhe izolojnë rastet e reja.
Masat kundër pandemisë në Pekin konsiderohen më të buta, pasi Kina ka aplikuar një politikë strikte duke vendosur kufizime në udhëtime, duke urdhëruar testimin e qyteteve të tëra dhe duke ngritur ndërtesa për izolimin e personave të infektuar. Së fundmi, Shangai është përballur me rritje të rasteve me koronavirus. Ky qytet, që ka 26 milionë banorë, ka raportuar 4,982 raste të mërkurën dhe 16 vdekje.
LEUNORA KALIQI
