Maqedoni

Rritja lineare e pagave, KSL: E parealizueshme, duhen ndryshuar ligjet

04.05.2022 14:37

Konfederata e sindikatave të lira shpreh rezervat e tyre në lidhje me marrëveshjen e përgjithshme kolektive...

Konfederata e sindikatave të lira shpreh rezervat e tyre në lidhje me marrëveshjen e përgjithshme kolektive, të cilën po e paralajmëron qeveria. Sipas tyre, rritja lineare e rrogave prej 2 806 denarë në sektorin public është e pamundur të bëhet, e kjo marrëveshje nuk do të zgjidh problemin. 
 
“Në sektorin publik jepen rrogat në bazë të pikëve apo në bazë të koeficientit të punës. 2806 denarë nuk mund t’i ndajnë njëjtë edhe ata me rroga më të ulëta dhe me ata që marrin rroga më të mëdha. Për t’u bërë kjo, duhet miratuar më shumë ligje, duhet ndryshuar shumë akte ligjore, përsëri duhet të përgatiten vendime të reja e kështu me radhë.”,- tha kryetari i KSL-së, Bllagoja Rallpovski.
 
Lëvizja Sindikaliste në RMV, nuk ka vdekur
 
KSL vlerëson megjithatë se grevat e protestat po japin rezultate dhe kanë zgjuar lëvizjet sindikaliste.
 
“Lëvizja sindikaliste në Maqedoninë e Veriut nuk është e vdekur. Organizimi sindikal u zgjua. Kjo është puna më e rëndësishme të cilën e kemi bërë në këtë moment pasi të gjitha sindikatat po i kërkojnë të drejtat e tyre. Ajo që tani po ndodh, para dy apo tre viteve ishte e pamundur që të ndodhë. Ne jemi krenar që e zgjuam punëtorin dhe tani ai  i di të drejtat e veta.”,- u shpreh kryetari i KSL-së, Bllagoja Rallpovski.
 
Nga Konfederata e Sindikatave të Lira thonë se është e rëndësishme edhe miratimi i ligjit për siguri dhe shëndet në punë dhe u zotuan se do të bëjnë përpjekje të  vazhdueshme që kërkesat e tyre të pranohen nga institucionet.   

BELINDA KOKA ADEMI