Maqedoni
Fondi Shëndetësor këtë vit me buxhet rekord
05.01.2015 17:13
Drejtoresha e Fondit për Sigurim Shëndetësor të Maqedonisë, Maja Parnaxhieva, mburret me buxhetin e këtij institucioni...

Drejtoresha e Fondit për Sigurim Shëndetësor të Maqedonisë, Maja Parnaxhieva, mburret me buxhetin e këtij institucioni, duke e vlerësuar atë si buxhetin më të madh historik.
Buxheti është rritur për 1,4 miliardë denarë në krahasim me vitin e kaluar.
Sipas drejtoreshës së fondit, përveçse më shumë para, ky vit do të sjellë edhe disa risi.
Ajo që është edhe më e rëndësishme për qytetarët, është se do të stimulohen spitalet jashtë kryeqytetit, të bëjnë më shumë operacione rutinë si për hernien, zorrën qorre dhe tëmthin.
“Sipas analizës së fondit, spitalet jashtë qytetit shpesh i kanë dërguar pacientët me këto probleme në kryeqytet, një tendencë për të cilën as fondi nuk kishte sqarime detajore. Investimi i vazhdueshëm në shëndetësinë publike brenda dhe jashtë Shkupit në infrastrukturë, punësime të reja, riedukim, në specializim dhe pajisje të reja u jep hapësirë për buxhete të kushtëzuara për spitalet jashtë Shkupit, përkatësisht vendosin buxhete të kushtëzuara për spitalet e përgjithshme dhe klinikat”- deklaroi drejtoresha e Fondit për Sigurimit Shëndetësor, Maja Parnaxhieva Zmejkova.
Sipas statistikave të fondit, kirurgët e Shkupit kanë kryer mesatarisht 71 operacione të hernies dhe të tëmthit. Kolegët e tyre nga qytetet e tjera kanë bërë mesatarisht 20% më pak operacione të tilla, ose nga 56.
Sipas planit që parashikon edhe stimuj financiar, qëllimi është që shumica e këtyre operacioneve të bëhen jashtë Shkupit, në mënyrë që kirurgët në kryeqytet të mund t’iu përkushtohen operacioneve më të ndërlikuara.
FARIJE DAUTI-BAKIU
