Maqedoni
Bllokimi i Kuvendit, Mickovski: Nuk lejojmë të na drejtojnë nga Reçica e Vogël
04.05.2022 14:54
Lideri i VMRO–DPMNE–së, Hristijan Mickovski, paralajmëron nga 10 maji bllokim aktiv të kuvendit...

Lideri i VMRO–DPMNE–së, Hristijan Mickovski, paralajmëron nga 10 maji bllokim aktiv të kuvendit që do të zgjasë me muaj të tërë, deri sa qeveria nuk ulet të bisedojë me opozitën dhe organizohen zgjedhje të parakohshme. Do të bllokohen të gjitha ligjet në përjashtim të ligjeve sociale për qytetarët, rritjen e pagave dhe pensioneve.
“Na nevojitet mbështetje e shoqërisë që ta shpëtojmë Maqedoninë, Prisni, nga e para vijojnë më shumë hapa, ndërkaq më këtë vetëm po nisim aktivitetet. Nuk mund të lejoj që ardhmëria e Maqedonisë të krijohet në Reçicë të Vogël. Ardhmërinë e Maqedonisë do ta krijojnë qytetarët e saj.”,- tha kryetari i VMRO–DPMNE–së, Hristian Mickoski.
Besa i bashkëngjitet nismës së VMRO–së.
Iniciativës së VMRO–DPMNE–së do t’i bashkëngjitet edhe Lëvizja Besa, nëpërmjet amendamenteve për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Nga partia e Bilall Kasamit thonë se Legjitimiteti i qeverisë kontestohet sepse mazhoranca u bë përmes deputetëve të shantazhuar dhe partive politike që brenda natës nga kritikët e qeverisë u bënë pjesë e qeverisë.
“Kjo përbërje e Qeverisë pasqyron keq-menaxhimin e të gjitha institucioneve, ndaj është shumë e rëndësishme që zgjedhjet parlamentare të bëhen më shpejt, t’i kthehet legjitimiteti qytetarëve dhe ata të vendosin se kush duhet t’i përfaqësojë. Ne do të përdorim të gjitha mekanizmat e mundshëm për të provokuar sa më parë zgjedhje të parakohshme parlamentare.”,- thanë nga Lëvizja Besa.
Pushteti fton VMRO-në të tërheq nismën.
Pushteti fton opozitën të heq dorë nga vendimet destruktive. Ata thonë se s’do lejojnë që kuvendi të bllokohet në kushte krize kur qytetarët kanë më së shumti nevojë për kuvend funksional.
“Uroj që ta rishqyrtojnë pozitën dhe këtë qëndrim të tyre. I ftoj që të garojnë me ide, projekte dhe jo me bllokim dhe shkatërrim. Shteti do të funksionojë në bazë të ligjeve ekzistuese pavarësisht dëshirave dhe vendimeve të partive politike.”,- theksoi deputeti i BDI–së, Arbër Ademi.
“Nëse ne si shoqëri, me të vërtetë jemi të vetëdijshëm për nevojën e reformave rrënjësore në gjyqësor, mendoj se bllokimi është në kundërshtim të asaj që flasim. Shpresoj se opozita megjithatë do ta kuptoj momentin dhe rëndësinë për të mirën e shtetit.”,- u shpreh deputetja e LSDM-së, Snezhana Kalevska.
ASh e përmbajtur, do të vendosë në vijim
Aleanca për Shqiptarët thotë do të ndërtojë strategjinë e veprimit pas mbledhje së kryesisë, por lënë të nënkuptohet se nuk mbështesin nismën e VMRO-së për bllokim të kuvendit.
“Është e drejtë e çdo subjekti politik që të ndërtojë strategjinë e vet të veprimit. Në këtë drejtim ka vepruar me siguri edhe kryetari i VMRO-DPMNE-së, siç është e drejtë edhe e Aleancës për Shqiptarët që të ndërtojë strategjinë e vetë të veprimit.”,- thonë nga ASh.
MERAL ISMAILI
