Rritja e pagave në kopshte dhe arsim, Shkrelj: Rritje pagash do të ketë

04.05.2022 15:05

Rritje pagash në arsim dhe në kopshte do të ketë....

Rritje pagash në arsim dhe në kopshte do të ketë. Ajo që negociohet tani mes palëve është sasia, dinamika dhe metodologjia e rritjes, tha deputetja e LSDM-së, Sanella Shkrelj, gjatë diskutimit të propozim-ligjit për ndryshimin e Ligjit për mbrojtjen e fëmijëve.

Sipas saj, situata në arsim dhe në institucionet e përkujdesit të fëmijëve nuk do të ishte e tillë nëse edhe qeveritë pararendëse kishin treguar kujdesin e duhur.  

“Aspak nuk është çështje diskutimi se a do të ketë. Ajo që tani po bëhet është se po negociohet për shumën, dinamikën dhe metodologjinë. Ndërmjetësimi mbet me ofertën e Qeverisë për rritjen e pagave për 12%. Askush s’mund ta mohojë se kurrë më parë s’ka pasur rritje të tillë të pagave.”,- theksoi deputetja e LSDM-së, Sanella Shkrelj.

Angelevska: Para ka nëse nuk vidhen

Opozita me akuza për pakënaqësitë nga rritja e pjesshme e pagës minimale dhe grevat. Konsiderojnë se pushteti po keq-menaxhon buxhetin, në të cilin, sipas tyre, ka para edhe për rritjen e pagave të arsimtarëve.

“Do të thoni vendi është në krizë. Kriza është në nivel botëror, por para në buxhet ka nëse nuk harxhohen në mënyrë të paarsyeshme dhe nëse nuk vidhen. Kur kishte para që t’ia shisni vetes softuerët e shtetit. Kur kishte para që sekretarët gjeneral të bëjnë studime fizibiliteti prej një milion euro për shitjen e postave, është e qartë për popullin se ku i harxhoni ju paratë e popullit.”,- tha deputetja e VMRO-DPMNE-së, Silvana Angelevska.

Neziri: Revolta, pasojë e zgjidhjes së pjesshme 

Për opozitën shqiptare pakënaqësitë kanë qenë të pritshme. Nëse pranoheshin amendamentet e ASh-së për Ligjin për pagën minimale, kjo situatë do të evitohej, thotë deputeti Neziri.     

“Zgjidhja e pjesërishme e ligjeve krijon probleme për të cilat ne kemi folur edhe në kohën kur është miratuar Ligji për rrogë minimale, ku në komisione kemi pas edhe amendamente që të bëhet rritja proporcionale e rrogave të tjera dhe kur të zgjidhet një problem të mos zgjidhet pjesërisht por ai të vjelë edhe për të tjerët.”,- u shpreh deputeti i ASh-së, Adnan Neziri.

Aktualisht, greva në çerdhe dhe kopshte është ndërprerë, ndërsa ajo në shkolla është pezulluar për tre javë. Në ndërkohë vazhdon negocimi mes Qeverisë dhe SASHK-ut për arritjen e një marrëveshje të pranueshme për të dyja palët. (Shpëtim Nuredini, TVM2)