Konferenca e donatorëve, Mariçiç: Prioritet, koordinimi i donacioneve
Për t’u arritur rezultate më efikase...

Për t’u arritur rezultate më efikase në tranzicionin e gjelbër, digjitalizimin, apo zhvillimin teknologjik, është e nevojshme që të detektohen prioritetet dhe donacionet të jepen për atë që është më e nevojshme.
Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiç, theksoi se prioritet i qeverisë në këtë drejtim është fuqizimi i koordinimit të donacioneve se të njëjtat ku duhen destinuar.
“Siç e dini koordinimi dhe harmonizimi i ndihmës nga vendet e huaja është pjesë integrale e përgatitjeve tona për aderim drejt BE-së. Qeveria jonë e kuptoi rëndësinë e koordinimit efektiv të donacioneve dhe është e përkushtuar në përmirësimin e efikasitetit të saj, përmes mekanizmit koordinativ të udhëhequr nga qeveria, kurse të iniciuar nga procesi i aderimit në BE.”,- tha zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiç.
Strategjia zhvillimore 2022-2024, Bytyqi: Testojmë platformën digjitale
Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyçi, ndërkaq iu referua rëndësisë së strategjisë zhvillimore kombëtare 2022-2024, duke thënë se zbatimi i saj do të ndihmonte në mobilizimin e shoqërisë dhe realizimin e prioriteteve të përcaktuara.
“Në strategjinë kombëtare për zhvillim i testojmë dhe promovojmë funksionalitetin e platformës digjitale që të sigurohemi se ato do të jenë inkluzive dhe do të mund të marrin pjesë qytetarët e vendit. Kjo do të jetë një mjet ku do t’i masim sukseset.”,- theksoi zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyçi.
Bytyçi tha se në bazë të hulumtimeve, mbi 80 për qind e mbështesin zbatimin e strategjisë, 89 për qind besojnë se kjo do të përmirësojë jetën e tyre dhe 80 për qind besojnë se do të vendosen prioritetet e shtetit dhe e konsiderojnë shumë të rëndësishme pjesëmarrjen në strategji. (Ersan Pajaziti, TVM2)
