Maqedoni

Bisedimet mes BE-së dhe RMV-së, Radev: Fillimisht ndryshoni Kushtetutën!

04.05.2022 16:16

Bullgaria nuk ka ndërmend të lëshojë pe, pa u ndryshuar kushtetuta e Maqedonisë së Veriut...

Bullgaria nuk ka ndërmend të lëshojë pe, pa u ndryshuar kushtetuta e Maqedonisë së Veriut dhe pa u përfshirë bullgarët në të me statusin e barabartë,  tha presidenti bullgar, Rumen Radev, në konferencën për të ardhmen evropiane dhe marrëdhëniet e mirë fqinjësore, që u mbajt në ditën e shënimit të vdekjes së Goce Dellçevit, pika kyçe e përplasjes mes palës bullgare dhe maqedonase. Madje, Radev e quan destabilizim të BE-së, importimin e “maqedonizmit” brenda saj. Duhet integruar partner dhe jo probleme, thotë ai.
 
“Sfida e madhe që qëndron para shoqërisë sonë është kur Bullgaria do të duhet të japë pajtueshmëri për procesin e bisedimeve për Maqedoninë e Veriut. Gjithmonë kam thënë se kjo  duhet të bëhet pasi që të ndryshohet kushtetuta dhe kur të shkruhen bullgarët të barabartë me popujt tjerë.”,- tha presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev.
 
Hapja e Kushtetutës, Mickoski: Jo pa garanci nga Parlamenti i Bullgarisë
 
VMRO-DPMNE nuk do të mbështesë hapjen e Kushtetutës si kusht për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE, derisa të merret një garanci e qartë nga Parlamenti bullgar se nuk do të ketë kërkesa shtesë.
 
“Nuk ka hapje të Kushtetutës derisa të marrim një garanci të qartë nga Parlamenti bullgar se nëse Kushtetuta hapet dhe mbyllet në Maqedoni do të thotë se në këtë mënyrë mbyllen të gjitha çështjet e hapura ndërmjet Maqedonisë dhe Bullgarisë dhe se derisa Maqedonia të jetë pjesë e BE nuk do të ketë më kërkesa shtesë nga fqinji ynë lindor. Vetëm në ato kushte mund të flasim.”,- theksoi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
 
Dimitrov: Kombi maqedonas, produkt politik
 
Duket se kërkesat do vazhdojnë. Pala bullgare në komisionin e përzier historik, nuk është aspak e bindur se do të mund të gjendet zgjidhje në dallimet historike mes palëve. Njohja e popullit maqedonas pas luftës së dytë botërore, është vetëm një projekt politik, potencon kreu i komisionit bullgar, Angel Dimitrov.

NERMIN MULAKI FEJZULLAHU