Evakuohen 156 civilë nga Mariupoli, Rudik: Ka ende njerëz të bllokuar në “Azovstal”

04.05.2022 19:30

Përderisa vazhdojnë sulmet e Rusisë në Ukrainë....

Përderisa vazhdojnë sulmet e Rusisë në Ukrainë, të paktën 156 persona kanë arritur të largohen nga Mariupioli, duke kaluar në Zaporizhzhia. Në mesin e të evakuuarve janë edhe qytetarët të cilët ishin bllokuar përreth dy muaj në fabrikën “Azovstal”, por atje akoma ka civilë të bllokuar.

“Në bunkerin tonë, ishin 42 persona. Ka fëmijë 12, 15, 16 dhe 17 vjeç. Ne duhet t'i nxjerrim që atje. “Azovstal” është nën sulm dhe ata duhet të shpëtohen. Nuk e kuptoni sa e frikshme është kur ishim në strehë, në një bunker të errët të lagësht dhe papritmas gjithçka fillon të kërcejë dhe të dridhet.",- tha një zhvendosur nga Fabrika “Azovstal”.

“Janë diku 30 fëmijë në fabrikën “Azovstal”. Por, besoj që vështirësia më e madhe do të jetë me ushtarët e plagosur, pasi Rusia nuk po i lejon të dalin jashtë.”,- theksoi deputetja ukrainase, Kira Rudik.

“Ndonjëherë më vinte keq që kisha një fëmijë sepse emocionalisht isha plotësisht e zhgënjyer. Ndonjëherë nuk kishim as diçka për të ngrënë për atë.",- u shpreh një zhvendosuringa fabrika “Azovstal”.

Sulmi rus ndaj Ukrainës, BE propozon pakon e gjashtë të sanksioneve

BE-ja deklaron se bën përpjekje që situate të mos eskalojë por edhe më tej shtrëngon sanksionet ndaj Rusisë.

“BE-ja po bën "çdo gjë të mundshme" për të frenuar luftën në Ukrainë dhe për të parandaluar përhapjen e saj, por do të vendosim sanksione më të ashpra kundër Rusisë.”,- tha përfaqësuesi i lartë i BE-së për Punët e Jashtme, Josep Borrell.

“Të jemi të qartë: nuk do të jetë e lehtë  sepse disa shtete anëtare janë shumë të varura nga nafta ruse. Por, thjesht,  duhet ta bëjmë këtë. Do të sigurohemi që këtë ta bëjmë gradualisht në mënyrën e duhur. Për të maksimizuar presionin ndaj Rusisë, derisa minimizojmë ndikimin në ekonomitë tona.”,- deklaroi presidentja e KE-së, Ursula Von Der Leyen.

Rusia: Do të rritet kostoja për qytetarët europianë

Kremlini thotë se veprimi ndëshkues, i cili përfshin ndalimin e plotë eventual të importeve të naftës ruse, është një armë "me dy tehe".

"Kostoja e këtyre sanksioneve për qytetarët e Evropës do të rritet nga dita në ditë. Kremlini po shikon opsione të ndryshme për përgjigjen e tij ndaj sanksioneve të reja. Sigurisht, do të jetë e vështirë sepse BE-ja përbën gati gjysmën e eksporteve të naftës së papërpunuar dhe produkteve të naftës ruse.”,- u shpreh zëdhënësi i presidentit rus, Dmitry Peskov.

Sipas vlerësimeve të OKB-së, në këtë luftë të paktën 3.193 civilë janë vrarë dhe 3.353 të tjerë janë plagosur në Ukrainë që nga fillimi i sulmeve ruse më  24 shkurt. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)