Maqedoni

30 ditë burg për 5 persona, trafikonin emigrantë

05.01.2015 17:36

Trafiku ilegal i emigrantëve nuk është ndalur as në ditët e para të 2015...

Gjatë fundjavës, policia arriti të ndërpresë një rrjet të trafikantëve të emigrantëve afrikano –aziatik.
 
Në mesin e të ndaluarve janë edhe dy grekë, një serb dhe një shtetas nga Maqedonia, të cilët në raste të veçanta po  transportonin emigrantë sirianë dhe afganë.
 
Në rastin e parë, në autostradën Kumanovë–Tabanoc është ndaluar një shtetas grek, 66 vjeçari K.K. nga Katerina e Greqisë dhe se pas kontrollit të makinës së tij “BMV”, janë gjetur tre emigrantë afganë.
 
Ata nuk po posedonin dokumente personale. Në rastin e dytë është ndaluar një serb nga Nishi dhe  në makinën e tij janë gjetur katër emigrantë ilegal nga Siria. Ndalesa dhe kontrolli i tij u bë në afërsi të tunelit në Demir Kapi.
 
Dhe në rastin e tretë gjithashtu është kapur një 29 vjeçar grek me makinën e tij “Golf”, ku po transportonte 5 sirianë.
 
Ai u ndalua në afërsi të Velesit. Rasti i fundit është kapja e 39 vjeçarit me inicialet I.A. nga Llojani i Kumanovës, derisa po transportonte 12 emigrantë afganë me makinën e tij “Sharan”.
 
Policia theksoi se ndaj këtyre personave janë ngritur masa paraburgimi prej 30 ditëve.