Botë

Shqipëri, përmirësohet situata e qarkullimit

05.01.2015 17:47

Ndonëse është përmirësuar situata e kalueshmërisë së rrugëve në Shqipëri, vazhdojnë të dalin në pah problemet e thella sociale, që mbizotërojnë sidomos në zonat rurale...

Mungesa e ngrohjes në shkolla por edhe e energjisë elektrike janë dy nga elementet që po bashkëjetojnë me banorët e këtyre zonave.
 
Situata problematike vijon të jetë në të gjithë akset e qarkut të Korçës, ku pavarësisht hedhjes së kripës dhe skories përsëri, lëvizja e automjeteve kryhet me zinxhirë. 
 
Prefekti, Ardit Konomi, ka kërkuar nga Drejtoria Rajonale e Arsimit të mos zhvillohet mësimi në shkollat e ciklit të ulët. Ndërsa mjaft fshatra vijojnë të mos kenë energji elektrike.
 
Në qarkun e Kukësit rrugët e trotuaret janë pushtuar nga akulli, duke vështirësuar qarkullimin, ndonëse bashkia u mundua që t’i bënte të qarkullueshme përmes hedhjes së kripës apo skories. 
 
Dibra mbetet një nga qarqet të cilat janë goditur më shumë nga ngricat dhe temperaturat e ulëta që ka prekur Shqipërinë këto ditë, ku për pasojë akset rrugore rurale, që lidhin komunat me qytetin, janë të bllokuara nga ngricat, duke vështirësuar lëvizjen e mjeteve dhe njerëzve. 
 
Në qarqet Tiranë, Elbasan, Durrës, Lezhë, Berat, Fier, Vlorë, Gjirokastër ka vetëm prani të akullit në rrugë, por edhe këtu duhet pasur kujdes, sepse mund të bëhet shkak për daljen nga rruga të automjeteve, nëse ecin me shpejtësi.
 
Meteorologët parashikojnë një ulje drastike të temperaturave ditët e ardhshme, çka mund të risjellë në pah problemet e javëve të fundit.
 
LULJETA NDOKA