Maqedoni
Bllokimi i Kuvendit, Kovaçevski: S’pranoj takim të kushtëzuar me zgjedhje
05.05.2022 15:05
Kryeministri, Dimitar Kovaçevski, kritikon vendimin e VMRO–DPMNE-së për bllokimin e punës së kuvendit...

Kryeministri, Dimitar Kovaçevski, kritikon vendimin e VMRO–DPMNE-së për bllokimin e punës së kuvendit. Kreu i ekzekutivit shprehet i hapur për dialog social por jo edhe takime nën kërcënim dhe shantazhime me një pikë të rendit të ditës mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Sipas Kovaçevskit, tani fokusi duhet të vihet në tejkalimin e krizës së ndikuar nga lufta në Ukrainë e jo realizimin e urdhrave të Gruevskit.
“Kjo është një sjellje e pahijshme që nuk i sjell mirë askujt përpos atij që e bën, e ai është Nikolla Gruevski, i cili ende i jep urdhra kryetarit të VMRO–DPMNE-së që të bëjë hapa të tillë. I ftoj të gjithë deputet të jenë në nivel të detyrës. Aspak nuk i ngjason një partie demokratike të numëron ditët, të kërcënojë dhe shantazhoj dhe unë nuk bie pre e kërcënimeve, por jam njeri i dialogut të hapur.”,- tha kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Mickovski: Të ulemi dhe të caktojmë datën e zgjedhjeve
Por, kreu i VMRO–DPMNE-së, Hristijan Mickovski, hodhi poshtë pretendimet se është i ndikuar për vendimet e fundit. Mickovski ripërsëriti kërkesën për takim liderësh dhe caktimin e datës së zgjedhjeve.
“Vendimin që sollëm mbrëmë është reagim i aksioneve të qeverisë e cila do të jetë përgjegjëse për pasojat. Nëse janë aq të fuqishëm dhe se do të na deklasojnë në zgjedhje, atëherë të shkojmë në zgjedhje. Unë nuk frikohem, të ulemi dhe të bisedojmë sy më sy, të shkojmë në zgjedhje , por ja që nga pala tjetër nuk kam konfirmim, ashtuqë gjithçka që do të ndodh tani e tutje në Maqedoni, përgjegjësinë do ta mbajë udhëheqësia e LSDM-së.”,- theksoi kryetari i VMRO–DPMNE–së, Hristijan Mickovski.
Nga VMRO–DPMNE kanë paralajmëruar nga 10 maji të nisin bllokimin e punimeve të kuvendit në përjashtim të ligjeve sociale për qytetarët, rritjen e pagave dhe pensioneve.
MERAL ISMAILI
