Maqedoni
Bekteshi: Kriza në Ukrainë po shkakton dëme të mëdha
05.05.2022 15:47
Në Sofje të Bullgarisë ministrat e vendeve të rajonit diskutuan për sigurinë energjetike...

Në Sofje të Bullgarisë ministrat e vendeve të rajonit diskutuan për sigurinë energjetike, nevoja për një përgjigje urgjente ndaj ndërprerjes së furnizimit me energji si pasojë e krizës në Ukrainë, dekarbonizimi dhe tranzicioni i gjelbër si dhe krijimi i platformës së parë rajonale të BE-së për furnizimin me gaz. Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, ka thënë se kriza në Ukrainë po shkakton dëme të mëdha ndaj të gjithëve dhe se rajoni duhet ti lejë me një anë çështjet historike dhe të merren vendime në interes të të gjithëve.
“Një takim shumë i rëndësishëm duke i pasur parasysh zhvillimet të cilat po ndodhin në zemrën e Europës për shkak të invazionit rus në Ukrainë dhe nevoja që të gjejmë mundësi të reja me qëllim që të diversifikohet furnizimi i gazit natyror por edhe të energjesave të tjera të cilat janë të një rëndësie të veçantë jo vetëm në pjesën e ngrohjes por edhe në pjesën e funksionimit të ekonomisë në përgjithësi. Ne si Maqedoni e Veriut i përkrahim të gjitha iniciativat për thellimin e bashkëpunimit të RMV-së dhe Bullgarisë por edhe iniciativat rajonale siç është interkonetktori me Greqinë, rritjen e kapaciteteve të interkonektorëve ekzistues dhe në mënyrë shtesë të rishikohen mundësitë për shkak se Maqedonia e Veriut nuk i ka kapacitet adekuate për deponim të gazit atë ta bën nëpërmjet Bullgarisë. Ne qëndrojmë mbrapa të gjitha vendimeve të cilat do t’i sjell Komisioni Evropian edhe në pjesën e sanksioneve drejt Federatës ruse, por edhe në pjesën e zgjidhjes të problemeve të energjetikës.”,- tha ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Ai njëherit ka shprehur falënderim për mbështetjen e Bashkimit Evropian në reformat e sektorit energjetik në Maqedoninë e Veriut me qëllim të ndërtimit të interkonektorëve të rinj dhe lidhjes më të madhe të rrjetit jo vetëm në rajon por edhe në Evropë. Në takimin Ministror për energjinë në Sofje u formua platforma e re rajonale e BE-së për furnizimin me gaz në të cilën përfshihen edhe vendet nga Ballkani Perëndimor. Platforma e re rajonale në kuadër të Platformës Gjithëpërfshirëse të BE-së synon të adresojë nevojat rajonale të gazit dhe energjisë, infrastrukturën, çmimet dhe të reduktojë varësinë nga burimet ruse të energjisë.
GAZMEND KURTISHI
