Maqedoni

Kasami: Kallëzim penal ndaj Teuta Arifit

05.05.2022 16:16

Kryetar i Tetovës, Bilall Kasami, paralajmëroi kallëzim penal ndaj ish kryetares, Teuta Arifi...

Kryetar i Tetovës, Bilall Kasami, paralajmëroi kallëzim penal ndaj ish kryetares, Teuta Arifi, për dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe dëmtim të buxhetit të komunës së Tetovës me rreth 1.4 milion euro. Ai në raportin për punën gjashtëmujore tha se në këtë keqpërdorim, dyshohet të jenë përfshirë edhe disa persona të tjerë të komunës, një gjykatës dhe një avokat.
 
“Lënda për të cilën bëhet fjalë, ka të bëjë me një pronë eksproprijimi që është bë shumë më herët në vlerë që kap 50.000 euro. Ish drejtuesit nuk kanë reaguar në kohë dhe nuk kanë parashtruar as ankesë apo të bëjnë marrëveshje me palët që të mos dëmtohet buxheti i komunës së Tetovës, me qëllim që të përfitojnë nga pazaret e mundshme që kanë mundur të bëjnë me palët.  Kërkojmë nga prokuroria publike që të hetoj këtë rast dhe keqpërdorimet e mundshme që janë bërë dhe të dëmshpërblehet komuna për dëmin financiar të shkaktuar.”,- tha kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
 
Kasami tha se komuna e Tetovës ka paguar rreth 29 milion denarë dëmshpërblim, ndërsa kamata e përgjithshme arriti vlerën e 1.400.000 eurove që duhet paguar për një eksproprijim që ka kushtuar vetëm 60.000 euro.
 
“Në momentin kur konstatohet për herë të parë obligimi i gjykatës me një vendim që bëhet i plotfuqishëm konstatohet edhe vendimi për kamatë në mënyrë retroaktive, që nuk ka ndodhur në historinë e gjykatave të Maqedonisë dhe konstatohet një kamatë prej më se një milion euro, dhe nga ai moment komuna nuk e ankimon dhe bëhet i plotfuqishëm nga ku nis edhe përllogaritja e kamatave shtesë që në përllogaritjet e reja mund të shkojë edhe plus 300 apo 400.000 euro.”,- theksoi Kasami.
 
Përpos problemeve që ka komuna me borxhet e akumuluar, problem tjetër është edhe Këshilli Komunal që pritet të shpërbëhet pasi nuk e ka votuar llogarinë përfundimtare, që është dashur të votohet më së voni deri më 31 mars. 
 
VISAR SADIKI