Botë

Ukrainë, vazhdojnë sulmet e ushtrisë ruse

05.05.2022 16:28

Betejat e përgjakshme në Ukrainë vazhdojnë...

Betejat e përgjakshme në Ukrainë vazhdojnë. Të paktën 5 civilë kanë humbur jetën dhe 25 janë lënduar në një sulm të forcave ruse me raketa mbi Kramatorsk në rajonin e Donjeckut. 
 
“Edhe një sulm me raketa mbi Kramatorsk. Ishte i rrezikshëm, ndodhi në vendbanime dhe në pjesën qendrore të qytetit. Nëntë shtëpi, një shkollë dhe pjesë të infrastrukturës civile u dëmtuan në sulmin.”,- tha guvernatori i rajonit të Donjeckut, Pavlo Kyrylenko.
 
Rusia gjatë javëve të kaluara i rikahëzoi sulmet e tij në lindje dhe në jug, pasi paraprakisht tentoi që ta rrethojë dhe marrë kryeqytetin e Ukrainës. Granatime masive u raportuan përgjatë gjithë vijës së frontit me dëme të tjera të konfirmuara në qytetin Chasiv Yar. Në Avdiivka, të paktën tri shtëpi u shkatërruan dhe linjat e energjisë u rrëzuan. Gjithashtu sulme ka pasur edhe ne Chernobil, zjarrfikësit kanë arritur ta shuajnë zjarrin dhe të parandalojë rrezikun nga katastrofa e mundshme bërthamore.
 
“Tani zjarri është lokalizuar. Nuk ka kërcënim për përhapjen e zjarrit në vendbanime dhe në impiantin bërthamor. Puna për eliminimin e mëtejshëm të djegies vazhdon.",- tha një zjarrfikës.
 
Edhe në Kharkov është bombarduar parku argëtues, pamjet e kamerave të sigurisë kanë kapur momentin e shpërthimit. Raportohet se bombardohet pandërprerë fabrika e çelikut Azovstal.
 
Komandanti i regjimentit “Azov” të Ukrainës ka thënë se ata që ndodhen brenda fabrikës së çelikut po bëjnë “beteja të vështira dhe të përgjakshme” kundër rusëve. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se Ukraina ishte e gatshme të ndihmonte në zbatimin e një armëpushimi në fabrikën e çelikut për të nxjerrë njerëzit jashtë.
 
“Do të duhet kohë thjesht për të nxjerrë njerëzit nga bodrumet, nga strehimoret nëntokësore. Në kushtet aktuale, ne nuk mund të përdorim pajisje të rënda për të pastruar rrënojat. Gjithçka duhet të bëhet me duar, kjo është e pamundur aktualisht në rrethana luftimesh.”,- theksoi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
 
Por, Kremlini mohon që ushtria ruse gjatë ditës të ketë sulmuar fabrikën. Për dy ditë radhazi nga fabrika “Azovstal” janë evakuuar mbi 300 civil, por edhe 200 civilë të tjerë besohet janë ngujuar në fabrikë.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU