Maqedoni

ASh kritika qeverisë për çmimin e derivateve të naftës

05.05.2022 17:58

Aleanca për Shqiptarët i ka kërkuar Qeverisë të pranojë propozimet e saja për të ulur çmimin e derivateve të naftës...

Sot fatkeqësisht qytetarët, kompanitë e transportit të mallrave dhe shërbimeve, transportit të udhëtarëve e të tjerë, kur të drejtohen drejt pikave të tregtimit me pakicë të karburanteve i pret një befasi e pakëndshme me çmimet e servuara nga kjo qeveri e paaftë dhe zhvatëse, thonë nga Aleanca për Shqiptarët.

Ata thonë se çmimet e karburanteve sot po tregtohen me çmime shumë të larta e po u afrohen çmimeve para marrjes së masave nga Qeveria për uljen e  TVSH nga 18% në 10%.

“Pra, po shihet qartë që masat e ndërmarra nga qeveria janë gjysmake e nuk janë të mjaftueshme, prandaj sot  qytetarët po paguajnë çmime shumë të larta për furnizim me karburant në pompat e benzinës. Kjo situatë po dëshmon se përsëri Qeveria do të duhet të rikthehet në propozimet e Aleancës për Shqiptarët dhe të lejë inatet e tyre politike nga të cilat pësojnë vetëm qytetarë.”,- thuhet në reagimin e ASh-së.

Kjo parti ka propozuar uljen e TVSh-së nga 18% në 5%, uljen e akcizës për benzinën nga 22 denarë në 15 denarë ndërsa për dizelin nga 15,50 denarë në 9,00 denarë, ulje në minimumin e mundshëm të marzhës së tregtimit nga ana e operatorëve që tregtojnë me pakicë dhe si masë e fundit të shihet mundësia që të ketë ngrirje të vlerës së TVSH dhe akcizës në nivelet e një limiti maksimal.