Maqedoni

Shënohet 5 maji - Dita e Dëshmorit, manifestime në nder të dëshmorëve të kombit

05.05.2022 18:21

Falë sakrificës së tyre, kombi shqiptar gëzon privilegjet dhe të drejtat që kanë në shtet...

Si zakonisht më 5 maj u përkujtuan dëshmorët e luftës nëpërmjet manifestimeve të ndryshme kudo në Maqedoninë e Veriut. Në Tetovë, Kërçovë dhe Haraçinë u organizuan homazhe te varrezat e dëshmorëve, ku u tha se kontributi i dëshmorëve nuk duhet harruar asnjëherë, pasi për te mirën e popullit dhanë me të shtrenjtën e tyre, jetën.
 
“Besoj që secili prej nesh që morën pjesë nëpër këto homazhe, përveç kujtimeve që kanë ndarë me ata që ranë për liri me siguri kanë ndarë kujtime edhe tjera të luftës së lavdishme të UÇK-së dhe shpresoj që të gjithë të jemi krenarë për atë që arritëm në atë kohë dhe për rrugën që vazhduam pas 2001-shit.”,- tha ish-komandanti i UÇK-së, Hazbi Lika.
 
“Këta këtu na obligojnë që ne të jemi të përgatitur në çdo kohë për çdo rrezik që mund të ndodh. E para është që populli ynë duhet të bashkohet sepse ne vijmë nga pellazgët, vijmë nga ilirët, jemi shqiptar. E dyta është se i kemi ende armiqtë të tillë që janë, i synojnë trojet tona dhe janë aktual.”,- u shpreh kryetari i ShVL-UÇK-së, Fazli Veliu.
 
“Pushteti nuk mundej t’i zeje apo t’i abuzojnë me fakte, u organizonte vrasjen ose likuidimin e  tyre. Ashtu ndodhu me Abedin Hysenin. Më herët ndodhi me bacën Beqir Limani. Të njëjtën gjë ndodhi me Jehonin - Ruzhdi Veliun të cilit i organizuan një kidnapim dhe më vonë e zhdukën.”,- deklaroi veprimtari i çështjes kombëtare, Rexhep Emini.
 
“Të kesh një kala është e veçantë, të kesh edhe dëshmorë është edhe më e veçantë. Jo të gjithë e kanë këtë mundësi. Janë të paktë ato komuna dhe janë të paktë ato vendbanime në hapësirat që jetojmë ne por edhe në botë që kanë dëshmorë dhe kanë kala.”,- theksoi kryetari komunes së Haraçinës, Ridvan Ibrahimi.
 
“Të mos i harrojmë këto të cilët dhanë më të shtrenjtën e tyre, sakrifikuan edhe jetën, është diçka më e dashur për njerëzit, mirëpo në plan të parë ishte mbrojtja e atdheut.”,- u shpreh familjari i dëshmorit Mirsad Avduli Sali Avduli.
 
“Unë si djalë I dëshmorit normalisht se e përkujtoj çdo ditë, por është një ndjenjë shumë e veçantë, kur sot në kaq masivitet jam mbledhur qytetarë të komunës së Harapçinës dhe më gjerë.”,- u shpreh djali i dëshmorit Abaz Beqiri, Fuad Beqiri.
 
Çdo 5 maj, manifestimet e tilla rikujtojnë sakrificën sublime të bijve e bijave shqiptare që dhanë jetën në luftë me pushtuesit ndër vite e deri në luftën e armatosur të vitit 2001. 
 
ERSAN PAJAZITI