Botë

Turqi, inflacioni në nivel të lartë. Gjermani, dërgesat industriale kanë rënë ndjeshëm

05.05.2022 19:11

Niveli i inflacionit në Turqi arriti në pothuajse 70 për qind në muajin prill, që paraqet një sfidë të madhe për Qeverinë turke...

Niveli i inflacionit në Turqi arriti në pothuajse 70 për qind në muajin prill, që paraqet një sfidë të madhe për Qeverinë turke. Indeksi i çmimeve të konsumit u rrit për 69.97 për qind në prill, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Kjo paraqet rritje pasi, sipas të dhënave të agjencisë kombëtare të statistikave, në Turqi çmimet e konsumit në mars kishin qenë 61.14 për qind. Ekonomistët argumentojnë se problemet sociale në Turqi janë si pasojë e strategjisë jokonvencionale ekonomike të Erdoganit, që ka detyruar shumë investitorë të huaj të largohen nga vendi. Por niveli i lartë i inflacionit po ashtu i atribuohet kolapsimit të monedhës kombëtare turke, lira, që ka bërë që të shtrenjtohen importet e energjisë.

Edhe ekonomia gjermane, nuk po i përballon me lehtësi pasojat e luftës në Ukrainë. Dërgesat industriale të Gjermanisë kanë rënë ndjeshëm në muajin mars,  4.7 për qind krahasuar me muajin e mëparshëm sipas agjencisë federale të statistikave Destatis. Kjo rënie është një tregues i “qartë” i ndikimit që lufta në Ukrainë po ka në ekonominë gjermane, vlerëson Ministria gjermane e Ekonomisë.