Maqedoni
Gruevski: argumentet e profesorëve do të ndihmojnë reformën
05.01.2015 18:25
Kryeministri, Nikolla Gruevski, ndërhyri në Plenumin e Profesorëve deri sa po jepnin deklarata për refuzimin e debatit...

Kryeministri, Nikolla Gruevski, ndërhyri në Plenumin e Profesorëve deri sa po jepnin deklarata për refuzimin e debatit pa studentët lidhur me provimin shtetëror dhe në ambiente hoteli.
“Ne nuk jemi këtu për t’u konfrontuar, prandaj refuzojmë të hyjmë në këtë sallë, sepse me kolegët tanë bisedojmë aty ku është vendi. Ata nuk janë armiqtë tanë, nuk janë tabor i kundërt. Kështu që vendi ynë dhe ligji janë në parlament dhe jo në hotel. Hotelet janë për turizëm, jo për parlamentarizëm”- deklaroi profesoresha universitare, Biljana Vankovska
“Profesoreshë, ejani në debat”- tha kryeministri, Nikolla Gruevski
“Faleminderit kryeministër, atë e prisnim më herët”- ia ktheu Vankovska.
“Por, ja ku jemi këtu, nëse jeni për debat ne jemi të përgatitur”- theksoi Gruevski.
“Tani sapo thashë, hotelet janë për turizëm, jo për parlamentarizëm. Mund t’i bëni apel parlamentit, ne jemi gati të hymë dhe të bisedojmë. Nuk jemi kundër jush, as kundër kolegëve tanë. Mos e përçani komunitetin akademik”- tha Vankovska.
“Mund të flas? Ky është vend ku edhe kolegët tuaj, dekanë, rektorë e profesorë më shpesh mbanin takime. Deshëm të jetë në terren neutral, mos të thoni jo në qeveri, në parlament… prandaj zgjodhëm këtë vend. Por, mundet kudo që keni dëshirë. Doni në parlament? Mund të shkojmë tani? Hajde, në 13:30 jemi aty. Ju presim”- u shpreh Gruevski.
Profesorët fillimisht pranuan ofertën e Gruevskit për debat në kuvend, që ishte edhe kërkesa e tyre, por më pas e refuzuan atë. Ndërkohë, debati ka vazhduar në kuvend, ku Gruevski ka shprehur vendosmërinë e qeverisë për miratimin e ligjit.
“Duhet që të bisedohet për t`u përmirësuar punët. Ndoshta duhet menduar që të sillet një ligj i ri për arsim me të gjitha ndryshimet e propozuara deri më tani. Për procesin e Bolonjës nuk është fajtor as ministri, as universiteti. Secili e interpreton si dëshiron ai. Kemi indikacione që janë të përbashkëta, të kemi arsim më cilësor, Askush nuk është kundër ndryshimeve, por është i nevojshëm një debat më afatgjatë”- deklaroi rektori i universitetit “Shën Cirili dhe Metodi”, Velimir Stojkovski.
“Të gjithë pajtohemi se evoluimi duhet që të përmirësohet dhe të mos mendohet se përskaj institucioneve të arsimit të lartë, shteti do të masë dituri tjera, sugjerimet mund të ndihmojnë në atë.
Po ashtu, përshëndeti idenë për t`u lejuar kyçja e të huajve në punën e universiteteve”- tha rektori i UEJL-së, Zamir Dika.
Edhe nga USHT-ja bëjnë të ditur se duhet të ketë ndryshime të caktuara në kuadër të përmirësimit të cilësisë.
Rektori i Fakultetit të Turizmit dhe Menaxhmentit, Ace Milenkovski, vlerësoi reformën si të mirë dhe tha se është dakord në tërësi me kryeministrin, Nikola Gruevski, kur thotë se reforma do të kontribuojë për rritjen e cilësisë së arsimit.
Ndërkohë, kryeministri, nga ana tjetër, tha se fjalimet e profesorëve në kuvend kanë kontribuar në konkretizimin e Ligjit për Arsim të Lartë dhe do të shërbejnë për reforma dhe ide të reja në të ardhmen, në drejtim të rritjes së cilësisë.
Kundër debatit u shpreh prorektori, Vlladimir Petrushevski, i cili tha se qeveria duhet të investojë në shkencë, që të kërkojë punime në revista dhe të bëhen analiza se çfarë sistemi arsimor kemi përmes anketave.
FLUTURA LATIFI
