Maqedoni
Deponitë ilegale në prona private, dëmtojnë imazhin e qytetit të Strugës
06.05.2022 14:21
Në hyrje të qytetit të Strugës grumbullimi i mbeturinave nga qytetarë të pandërgjegjshëm ka shkaktuar mal deponie....

Në hyrje të qytetit të Strugës grumbullimi i mbeturinave nga qytetarë të pandërgjegjshëm ka shkaktuar mal deponie. Këto mbeturina kryesisht janë në prona private. Nga komuna e Strugës thonë se në fillim të sezonit kanë filluar aksionin për pastrimin e deponive ilegale, ndërsa qytetarët kanë marrë urdhër për pastrimin e pronave private, në të kundërt, do ti pastrojë komuna me shpenzimet e tyre.
“Për të minimizuar ato ndikime negative, ne i kemi lokalizuar dy-tri herë të gjitha parcelat që janë kritike, u janë dërguar letra pronarëve, por problemi është se shumica e tyre nuk janë prezente në vend, që do të thotë se persona të tjerë hedhin mbeturina në ato vende.“, tha shefi i departamentit të mjedisit në komunën e Strugës, Mitko Korkutoski.
Nga komuna thonë se deponitë janë pastruar disa herë, por përsëri janë grumbulluar mbeturina. Inspektorët thonë se problemi kryesor është ndërgjegjësimi i ulët mjedisor i popullatës. Pas pastrimit të venddepozitimeve, në vendet kritike do të vendosen tabela edukative. Inspektorët lajmërojnë gjoba të larta dhe sekuestrim të automjeteve që do të gjenden në vend gjatë depozitimit të mbeturinave.
ILMIE ZHAKU
