Maqedoni

Raporti i KE-së për vitin 2021, Risteski: Raporti më i keq që nga 2009-ta

06.05.2022 15:58

Kuvendi përfundoi diskutimin mbi Raportin e Progresit të KE-së për Maqedoninë e Veriut, për vitin 2021....

Kuvendi përfundoi diskutimin mbi Raportin e Progresit të KE-së për Maqedoninë e Veriut, për vitin 2021. Sipas pushtetit raporti është real dhe shënon arritjet positive të vendit. Raport që garanton fillimin e negociatave me BE-në. Sipas opzitës së kryesuar nga VMRO-DPMNE, Maqedonia ka marrë notë negative.      
 
“Para nesh kemi raportin e vlerësuar më keq nga KE për avansimin e realizuar nga RMV-ja që nga viti 2009 e deri më sot. Ta përsëris për ata që lëvdojnë se, nota mesatare është 1.52, më e dobëta deri më tani. Duke e shqyrtuar raportin sipas kapitujve, nota e dobët veç konfirmohet. Sektorët kyç si shëndetësia, arsimi, reformat në drejtësi dhe furnizimet publike janë vlerësuar ose me ‘s’ka përparim’ ose me ‘ka pak përparim’.”, tha Petar Risteski, deputet i VMRO-DPMNE-së.
 
Mariçiq: Në raportet tuaja shkruhej për dhunë
 
Vendi është i gatshëm që të fillojë negociatat me BE-në dhe këtë e konfirmon edhe raporti, thotë zëv/kryeministri për çështje evropiane. Sipas tij, Qeveria që përfaqëson, për dallim nga qeveritë e VMRO-DPMNE-së, ka rikthyer vendin në rrugën e integrimit evropian.
 
“Niveli i përgatitjes së RMV-së, në këtë moment, është më i larti në rajon, madje më i lartë edhe se vendet që negocojnë 10 vjet. Në listën e Transparency kemi ngritje për 30 vende, në listën për Reporterë pa kufij kemi ngritje për 33 vende. Në kohën tuaj kishim negociata në Përzhinë, krizë politike, raportin e Pribesë. Projektet tuaja u kurorëzuan me vënien në listën e zezë të liderit tuaj nga Budapesti.”, tha zv/kryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiq.
 
Sa u përket kritereve politike, në raportin e progresit thuhet se vendi ka vazhduar përpjekjet për të forcuar demokracinë dhe sundimin e ligjit, përfshirë edhe aktivizimin e mekanizmave të kontrollit dhe balancit. Vendi ka dëshmuar përkushtim për të shënuar rezultate në fushat kyçe, përfshi edhe agjendën “Evropa në shtëpi” dhe “Aksioni 21” për luftë kundër krimit. KE i rekomandon Qeverisë që të mbajë dinamikën reformuese dhe të fokusohet në zbatimin e kornizës juridike ekzistuese. Njëkohësisht thekson rolin e gjithë shoqërisë për zbatimin e plotë dhe të mirëfilltë të reformave.  
 
SHPËTIM NUREDINI